Punimet në segmentin e dëmtuar të aksit Librazhd–Pogradec po vijojnë në zonën e Dragostunjës. Në terren janë angazhuar 9 eskavatorë dhe 22 kamionë për stabilizimin e zonës dhe largimin e masave të dheut.
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), gjatë mbrëmjes është përfunduar devijimi i shtratit të lumit Shkumbin, i cili kishte prekur trasenë hekurudhore dhe paraqiste rrezik për infrastrukturën. Gjithashtu është realizuar ndërhyrja për heqjen e një shtylle elektrike që pengonte operacionet.
Bëhet me dije se projekti për ndërtimin e një rruge alternative me gjatësi rreth 1.3 kilometra ende nuk është gati. Burime bëjnë me dije se projekti pritet të shpallet brenda 2-3 ditësh, pas dorëzimit zyrtar pranë ARRSH-së.
Rruga e përkohshme synon të mundësojë rikthimin e qarkullimit në këtë aks, ndërkohë që paralelisht do të vijojnë procedurat për zgjidhjen përfundimtare të segmentit të dëmtuar.
Prej të shtunës, qarkullimi në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas, pjesë e Korridorit VIII, është ndërprerë. Izolimi i pazakontë ka shkaktuar probleme të panumërat për banorët e zonës të cilët janë të privuar nga shërbimi shëndetësor, ndërsa lëvizja përmes rrugëve dytësore po rrit çdo ditë koston e udhëtarëve por edhe të furnizimeve ushqimore.
