NGA: Anxhela Devole
Peizazh unik, vende misterioze për tu zbuluar, aventura sportive… Gjithçka ndodhi në Ballkonin e Bregut, në vetëm 3 ditë. Vetëm 10 km larg nga Himara, Piluri u shndërrua në kryeqendrën e atyre që adhurojnë natyrën dhe sportet ekstreme. Aktualisht në këtë vend jetojnë 480 banorë, por gjatë 3 ditëve kur u mbajt festivali “South Outdoor Festival”, u shtuan edhe 1000 persona nga Tirana dhe Shqipëria. Edhe pse infrastruktura rrugore nuk lehtësonte udhëtimin, askush nuk i pengoi këta njerëz të shijonin natyrën, ushqimet e gatuara nga zonjat piluriote, panairet artizanale, sportet e ndryshme dhe muzikën live.

Punimet artizanale të ekspozuara tërhiqnin vëmendjen e të gjithë atyre që merrnin pjesë në festival. Anisa Lloja është një artizane në moshë të re, e cila e ushtron këtë pasion, tashmë edhe profesion, në Tiranë, së bashku me shumë artizanë të tjerë që i janë bashkuar. Anisa Lloja ka ardhur në Pilur me një pjesë të punimeve të tyre. Por përpara se t’i ekspozonte, ajo ka trokitur në shtëpitë e zonjave piluriote, për të reklamuar edhe punën e tyre. Aktivitetit ekonomik i këtij fshati malor bazohet mbi blegtorinë. Shtylla kryesore e menusë janë gjengji i pjekur, dhe nënproduktet e qumështit e bulmetrat. Reçelrat gjithashtu janë pjesë e pjatave të fshatit. Organizatorët e “South Outdoor Festival”, GIZ, kishin menduar për të gjitha. Në të njëjtën kohë zhvilloheshin sporte dhe në sheshin e fshatit një grup animatorësh argëtonte fëmijët. Peizazhi unik i Pilurit mblodhi të rinj dhe familjarë, shqiptarë e të huaj për aventura të ndryshme.

“Ne vijmë në Shqipëri gjithmonë. Na pëlqen shumë ky vend, sepse mund ta shfrytëzojmë këtë territor për të zhvilluar shumë aktivitete sportive; hiking, biking, Jeep safari…, të gjitha në një paketë. Gjithashtu njeh njerëz të ndryshëm dhe krijon shoqëri të reja. Është një vend shumë i dashur”, u shpreh turisti turk, Ali Yldirim. Hiking, mountain biking, parashutizëm, jeep safari, kayak, scuba diving, ecje dhe ngjitje në mal. Këto ishin vetëm disa nga alternativat e sporteve që u prezantuan në festival.
Dy itinerarë për pjesëmarrësit që zgjodhën çiklizmin shoqëruar nga dy guida, 17 km nga Piluri në Qeparo dhe 30 km-shi që përfundoi në Borsh. Jona zgjodhi itinerarin e shkurtër…

Anisa Lloja nuk ishte e vetmja në panairin e artizanatit. Eleonora Çakalli është kthyer nga Greqia vetëm për këtë aktivitet. Ajo po mendon të kthehet përgjithmonë në Himarë dhe të ushtrojë profesionin e artizanes, me këto produkte; që nga kavanozët e qelqit, shishet e rakisë, kutitë e bizhuterive e deri te sapunët me forma. Jo vetëm panair artizanati, por edhe të produkteve bio. Ky vaj është ekstra i virgjër dhe mund të përzihet me erëza për një shije ndryshe. Jorgji Skura zbulon veçantitë e vajit të ullirit, që nga paketimi i tij deri tek tregtimi. Disa të rinj kishin sjellë në Pilur artin e tyre të realizuar me materiale të riciklueshme. Artid Alimemeti tregon imazhet që përzgjedh për të shndërruar në piktura, duke marrë përsipër të krijojë “Pop Art” në një mjedis fshati.

“Pop Art” merr si imazhe ato që janë aktualisht në përdorim nëpër reklama, etiketa produktesh dhe logo. Edhe pse ky lloj arti nuk është shumë i njohur, djemtë kanë marrë përsipër t’a zhvillojnë, duke shpjeguar edhe funksionimin e këtyre krijimeve artistike. Për të pritur dy ministrat, Ministrin e Energjitikës, Damian Gjiknuri dhe Ministren e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, performoi grupi polifonik. Në këtë atmosferë u përfshinë edhe banorët e zonës. Dy ministrat zhvilluan një forum me gazetarët, ku çelën zyrtarisht edhe sezonin turistik. Jugu, jo vetëm për detin. Kjo ishte thirrja që bëri bashkë 1000 pjesëmarrës për të zbuluar Pilurin misterioz. “South Outdoor Festival” synon të kthehet në një traditë dhe destinacioni i sugjeruar për vitin e ardhshëm është ishulli i Sazanit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: