Vera pritet të jetë e nxehtë në aksin Mançester-Barcelona. Nuk bëhet fjalë vetëm për Samuel Umtitin, lojtar i kërkuar nga të dyja ekipet e Mançesterit, por për një shkëmbim të bujshëm që po mendojnë të kryejnë drejtuesit e Barcelonës dhe ata të Mançester Junajtid.
“Djajtë e Kuq” të Solskjaerit kanë qenë gjithnjë të dashuruar me brazilianin Felipe Kutinjo dhe për ta sjellë atë në “Old Trafford” janë gati të bëjnë një sakrificë të madhe, sakrificë që nga ana tjetër do të kënaqte pa masë Barcelonën. Në kahun tjetër të lëvizjes pritet të shkojë Markus Rashford.
Sipas “Mundo Deportivo” këto nuk janë thjesht zëra merkatoje, me dy klubet që kanë nisur të punojnë për shkëmbimin e madh. Kutinjo do të ishte i lumtur të rikthehej në Angli, pasi në ishull gjeti lumturinë me fanellën e Liverpulit, ndërsa Rashford te Barça do të zinte vendin e Luis Suarezit.
(j.s/BalkanWeb)
