Dusan Vlahovic trembi jo pak Spallettit, me “bomberin” serb që nuk ishte fare në pankinë për sfidën e fundit kundër Letonisë. Jo vetëm kaq, por alarmi u ndez edhe më shumë nga deklaratat e trajnerit të Serbisë, me këtë të fundit që nuk ishte i qartë mbi shkallën e dëmtimit. Menjëherë sapo zbarkoi në Torino, Vlahovic iu drejtua J Medical duke iu nënshtruar kontrolleve më të detajuara.
Për fat të mirë, përgjigjja e rezonancës magnetike vërtetoi se nuk bëhet fjalë për një tërheqje të muskujve. Pavarësisht këtij fakti, Vlahovic mbetet në dyshim për sfidën kundër Fiorentinës. Dëshira e tij e madhe për të qenë në fushë kundër ish ekipit të tij mund të jetë vendimtare, por situata e Vlahovic do të monitorohet në vazhdimësi.
Ndërkohë, nga Torino, e përditshmja “TuttoSport” sjell një variant të bujshëm, rikthen edhe një herë hipotezën për një transferim të mundshëm të Granit Xhakës. Mesfushori zviceran ishte një objektiv i Juves gjatë verë, por në fund stafi drejtues vlerësoi se 15 milionë euro, aq sa kërkonte Leverkusen, për një 34-vjeçar janë shumë, për këtë arsye u tërhoqën nga gara.
Koha vërtetoi se Juve nuk i kishte bërë mirë llogaritë pasi Xhaka po shkëlqen edhe në Premier League me fanellën e Sunderland, 11 ndeshje si titullar 1 gol i shënuar dhe 3 asiste. Këtë sezon, si me Tudor ashtu Spalletti, po hasin shumë vështirë në mesfushë, është e qartë që Juves i mungon një mesfushor qendre, i mungon një lojtar i tipit Xhaka.
Sipas TuttoSport, “Zonja e Vjetër” synon me kohë të plotë Granit Xhakën, në janar do të bëjë gjithçka për të afruar prishtinaliun në Torino, por këtë herë do të duhen më shumë se 15 milionë euro për të siguruar kartonin e tij.
(BalkanWeb)
