Dy fitore në dy ndeshjet e fundit në Champions i japin frymëmarrje “Zonjës së Vjetër”, mban në lojë ekipin e Spallettit, me Juven që e sheh veten në vendin e 17-të në kuotën e 9 pikëve pas 6 ndeshjeve. Në “Stadium”, përballë Pafos, një ekip modest, Juve vuan më shumë se sa pritej, në një kohë kur miqtë nga Qipro i kërcënuan jo pak gjatë pjesës së parë, madje goditën edhe shtyllën pingule.
Me David në majën e sulmit, i mbështetur nga dyshja Yildiz-Zhegrova, me sulmuesin dardan që për herë të parë zbriti nga minuta e parë, Juve hasi shumë vështirësi në fazën sulmuese, madje sulmuesi kanadez humbi një rast të pabesueshëm me portën e boshatisur.
Situata u përmbys në fraksionin e dytë, ku në minutën e 67-të, McKennie u shërbye në zonë, me një lëvizje të bukur dhe me një goditje të fortë tundi rrjetën. Gjashtë minuta më vonë, Juve mbylli llogaritë me Pafos, ku Yildiz shërbeu pastër në zonë David me këtë të fundit që nuk shpërdoroi duke dyfishuar shifrat. Juve menaxhoi me kujdes pjesën e mbetur të këtij takimi duke koleksionuar një trepikësh jetik.
Spalletti e pranon se ekipi i tij nuk shkëlqeu, por në këtë fazë të Champions rendësi kanë vetëm pikët: “Ishte thelbësore të fitonim, vetëm me fitore mund të vihen në vend shumë gjëra. Sa i përket ndeshjes, është e qartë që mund të bëjmë më shumë, nuk jemi të lumtur, as unë as djemtë. Kur do shohim Juven e Spallettit? Atëherë kur të kem në dispozicion një qendërmbrojtës që luan me këmbën e djathtë”, u shpreh trajneri i Juves.
