Juventusi vazhdon të kërkojë përforcime në repartin ofensiv dhe emri që rikthehet me forcë është ai i Randal Kolo Muani. Sulmuesi francez mbetet një profil shumë i pëlqyer nga trajneri Luciano Spalletti, ndërsa drejtori sportiv Damien Comolli po punon për të krijuar kushtet e një rikthimi të tij në Torino.
Bardhezinjtë janë ende në kërkim të një sulmuesi të nivelit të lartë. Jonathan David po integrohet gradualisht në skuadër, por situata në sulm mbetet e komplikuar, me Vlahovic dhe Milik jashtë për shkak dëmtimesh dhe me Openda që nuk ka bindur plotësisht. Situata me tratativat me sulmuesin En Nesyri dhe Jean-Philipe Mateta kanë mbetur në stand by, duke mos patur zhvillime të rëndësishme. Për këtë arsye, Juventusi mendon se i nevojitet një tjetër pikë referimi në fazën sulmuese.
Kolo Muani shihet si profili ideal: një sulmues që njeh tashmë ambientin bardhezi, i aftë të luajë si qendër sulmi, por edhe të bashkëpunojë me shokët e repartit. Francezi vjen nga një periudhë jo e lehtë te Tottenham, ku është huazuar, dhe kjo situatë po përpiqet të shfrytëzohet nga Juventusi.
Sipas mediave italiane, ka pasur kontakte të para mes klubit dhe përfaqësuesve të lojtarit, i cili ka shprehur hapur dëshirën për t’u rikthyer në Torino, aty ku në një gjysmë sezoni kishte lënë gjurmë me 10 gola të shënuar.
Tani topi kalon te bisedimet me Paris Saint-Germain, klubi që zotëron kartonin e lojtarit. Juventusi po punon për një formulë huazimi, me një kosto rreth 5 milionë euro, ndërsa për blerjen përfundimtare PSG vazhdon të kërkojë rreth 60 milionë euro. Një shifër e lartë, që aktualisht frenon negociatat, por gjithçka mbetet e hapur në orët e fundit të merkatos.
