Juve e Spallettit vijon sezonin me ulje-ngritje të forta, por 2 fitoret radhazi mes Champions dhe Serie A i japin pak frymëmarrje në këtë pikë të sezonit. “Zonja e Vjetër” doli me një 3 pikësh të rendë këtë javë teksa triumfuan 0-1 ndaj Bologna-s, një rivali direkt për zonën Champions. Juve vuajti shumë në fraksionin e parë, me Bologna-n që ishte superiore, krijuan disa raste për shënim, por Di Gregorio ishte i pakalueshëm. “Zonja” ishte dhe me fat ku goditja e Zortea-s u përplas në traversë.
Historia e këtij takimi ndryshoi totalisht në fraksionin e dytë, ku Spalletti hodhi në fushë Cabal. Tre minuta lojë i mjaftuan mbrojtësit kolumbian, i cili gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, me kokë dërgoi topin në rrjetë. Situata u ndërlikua edhe më shumë ku në minutën e 69-të, Bologna mbeti me 10-të lojtarë. Me epërsinë e një lojtari më shumë në fushë, Juve e kishte më të lehtë të menaxhonte këtë takim, madje flirtuan edhe me golin e dytë në disa momente.
Në fund, Spalletti i gëzohet këtij suksesi që i ngjit provizorisht në vendin e 5-të në kuotën e 26 pikëve, plus 1 në raport me Bologna-n: “Kjo ishte fitorja më e bukur që kur kam marrë drejtimin e Juves. Përballë kishim një skuadër të fortë, me vlera. Fitorja këtu ishte meritë e djemve, i duhet thënë bravo pasi nuk ishte e lehtë”, u shpreh Spalletti.
