Zërat e merkatos nxehen në Torino, ku emri i Bernardo Silva po lidhet gjithnjë e më shumë me Juventus. Mesfushori portugez, aktualisht pjesë e Manchester City, duket i gatshëm të mbyllë aventurën në Angli në fund të sezonit.

Sipas mediave italiane, drejtuesit bardhezinj kanë pasur kontakte të reja me lojtarin përmes agjentit të tij, Jorge Mendes, në përpjekje për ta bindur të zgjedhë Torinon si destinacionin e radhës. Megjithatë, konkurrenca është e fortë, me Barcelona që mbetet një pretendente serioze.

Një nga pengesat kryesore mbetet paga. Silva përfiton rreth 10 milionë euro në sezon dhe nuk pranon oferta më të ulëta se 8-9 milionë, çka do ta detyronte Juventusin të rishikojë strukturën e pagave në skuadër.

Në planin taktik, trajneri Luciano Spalletti mund ta përdorë portugezin si trekuartist në skemën 4-2-3-1, ose si pjesë të një 4-3-3 më dinamike. Gjithsesi, merkatoja do të marrë formë vetëm pas rinovimeve të rëndësishme në skuadër.

Ndërkohë, lëvizje priten edhe në repartin e mbrojtjes. Gleison Bremer nuk konsiderohet më i paprekshëm: në kontratën e tij ekziston një klauzolë prej 58 milionë eurosh, e vlefshme deri në gushtin e vitit 2026.

Juventusi po vëzhgon alternativa dhe një nga emrat më të përfolur është Marcos Senesi, aktualisht te Bournemouth. Në listë mbeten edhe profile të tjera për repartin defensiv, teksa drejtuesit bardhezinj përgatiten për një verë të nxehtë në merkato.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb