Telashe për Juventusin në prag të finales së madhe të Berlinit ndaj Barcelonës. Xhorxho Kielini përfundimisht nuk do të jetë në dispozicion të Alegrit për sfidën më të madhe të sezonit për arsye dëmtimi. Klubi bardhezi nëpërmjet një njoftimi zyrtar sqaroi se në seancën stërvitore të së enjtes Kielini nuk mundi të stërvitej me grupin për shkak të problemeve në pulpë dhe pas ekzaminimeve më të hollësishme nga stafi mjekësor u arrit në përfundimin se nuk mund të jetë i gatshëm për përballjen e së shtunës. Në këtë pikë, Masimiliano Alegri duhet të zgjedhë mes dy alternativave që ka në dispozicion për të zëvendësuar 30-vjeçarin.

Një mundësi është aktivizimi i Andrea Barzajlit, që është riaftësuar në kohë rekord nga dëmtimi muskulor në kofshë i pësuar në ndeshjen ndaj Napolit, ndërsa tjetra është hedhja në fushë e Anxhelo Ogbonas. Në seancat e fundit stërvitore Alegri i ka kushtuar vëmendje të veçantë përgatitjes taktike, për t’i bërë ballë klasit të skuadrës katalanase.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: