Jashtë dyerve të Kuvendit, ish-kryeministri Sali Berisha zbardhi të tjera detaje nga denoncimi i tij se janë zbuluar bisedat e bandave me politikanët shqiptarë.

Berisha tha se agjencitë lizgjatuese në Itali, Belgjikë, Francë e Gjermani kanë zbuluar një aplikacion që përdornin bandat shqiptare me qeveritarët shqiptarë për komunikime të fshehta.

“Hetimi i fundit i kryer nga disa shtete, Itali, Belgjikë, Gjermani, Francë, pas zbulimit të një aplikacioni që përdornin bandat shqiptare dhe qeveritarët shqiptarë për komunikime të fshehta, themelet e narko shtetit po dridhen si në një tërmet. Ju garantoj se në ato përgjime, ka emra ministrash, drejtorësh, prokurorësh, gjykatësish, e shumë të tjerë. E mirëpres si një zhvillim shumë të rëndësishëm në betejën kundër narkoshtetit.

Ju bëj thirrje këtyre agjencive për një hetim të pavarur, sikundër i bëj thirrje antimafias italiane në një akt mbështetje dhe ndihme kundër bashkëpunimit transatlantik të mafias të hetojë me të gjithë potencialet e saj aferën e inceneratorëve në Shqipëri. Këtu është bërë korrupsioni ligj, transparenca është bërë përjashtim. Vetëm protestat e zgjidhin këtë. Do të fillojmë sa më shpejt që ta gjykojmë të arsyeshme. Protestat për Portin dhe inceneratorët do të jenë më të fuqishmet që ka njohur vendi”, tha Berisha.

I pyetur se “Cilët janë personat që kanë lidhjen me zyrtarët e shtetit?”, Berisha u shpreh se “Janë emra ministrash, në të gjitha nivelet, nuk i kam emrat, por ju siguroj që janë kështu siç them unë. Thirrja ime për këto agjenci është që të bëjnë hetim të pavarur”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb