Deputetja e PD Jorida Tabaku, është sot e ftuar në emisioni “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24, ku ka folur në lidhje me rolin e gruas në politikë dhe sfidat me të cilat përballen ato.

Tabaku ka kujtuar takimin e parë me qytetarët në kohën kur ishte pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë.

“Në 2009 mora një propozim nga Berisha. Në takimin e parë shkova me kostum dhe taka nga salla e fakultetit ë Ekonomisë, te Bregu i Lumit me një grup qytetarësh për të diskutuar në lidhje me pronat. Vija nga një familje tiranase që kisha vetë probleme me pronat. Në atë takim më është dridhur zëri.

Roli i gruas nuk është ai që duhej të ishte. Sot kemi më shumë zonja në Parlament, por unë ngre pikëpyetje për shumë situata që duhet të ishin zgjidhur nga zonjat. Asnjëherë asnjëra prej tyre nuk më ka dalë në krah edhe kur më kanë sulmuar padrejtësisht. Janë disa situata që… zonjat ndaj janë në politikë edhe për të krijuar një frymë ndryshe edhe për t’u përfaqësuar për çështje të cilat zonjat i bëjnë më mirë. Arsimi, shëndetësia, strehimi, këto cilësi nuk i kanë sjellë dhe ë vjen keq të them që kuota gjinore është përdorur si çështje numrash dhe këtu i referohem pjesës së mazhorancës dhe përfaqësisë në kabinet.

Kemi sot më shumë fonde në arsim e shëndetësi? Nuk po them që në PD i kemi gjërat fjollë dhe i kemi gjërat 100 përqind mirë, por zonjat e PD janë më aktive. Në kauza dhe çështja jemi më aktive. Në të djathtën në të gjithë botën, jo vetëm tek ne. Zonjat kanë treguar se kanë shkuar përtej kuotave”, tha ajo.

Deputetja e PD ka vlerësuar se gratë demokrate janë shumë suportuese me njëra-tjetrën edhe në këto kohë intensive me fushatën.

“‘Ka një vend në ferr për çdo grua që nuk mbështet një grua tjetër’ ka thënë Margaret Thatcher. Është një shprehje që e përdorim shumë për 8 Mars por që unë i besoj shumë. Kur del në elektorat janë gratë ato që të mbështesin më shumë. Në struktura të partisë gjithashtu, edhe pse jemi në garë koleget pyesim njëra tjetrën si po shkon a u lodhe?

Një rrjet që krijohet edhe me marrëdhënie pune por edhe me marrëdhënie miqësore gjatë punës. Ka disa të tjerë që ndoshta kanë një mënyrë ndryshe punë dhe nuk ke pse paragjykon askënd. Unë besoj që aleancat natyrale në politikë zonjat duhet t’i kenë të parat, sepse zotërinjtë i kanë, ndërsa zonjat nuk ia kanë rrjete kaq mbështetëse.
Në strukturat e PD dhe elektorat nuk ka mbështetje më të madhe për zonjat në politikë se zonjat”, tha ajo, teksa u ndal edhe tek komentet dhe sulmet online në rrjetet sociale.

“Në rrjetet sociale shpesh qëllon që shumë njerëz mllefin e inatin e shprehin atje sepse është më e lehtë pas një ekrani. Ka raste që kjo të mërzit por edhe të nxit të shohësh gjërat në një këndvështrim ndryshe. Që kur jam bërë nënë tashmë i bëj gjërat me synimin se çfarë do të lexojnë ato, kjo më është kthyer në një standard”, tha ajo.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb