Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me paraqitjen e zv/kryeministres Belinda Balluku në SPAK, duke ngritur pikëpyetje të forta për mënyrën se si ajo po përballet me akuzat dhe përzgjedhjen e motrës së saj, Pamela Qirkos, ish-kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), si avokate mbrojtëse.
“Balluku ka marrë avokate motrën e vet, e cila ka drejtuar KPK-në në procesin e vettingut, sepse kërkon të largojë prokurorët e çështjes,” tha Vokshi, duke shtuar se sipas informacioneve që disponon opozita, mbi prokurorët po ushtrohen presione dhe kërcënime, jo vetëm politike, por edhe nga elementë kriminalë.
Deputetja demokrate ngriti pyetjen nëse në një situatë të tillë drejtësia po vepron e pavarur dhe nëse duhet ndërmarrë një masë ndaj Ballukut për të garantuar një proces të drejtë dhe të paanshëm.
“A duhet marrë një masë në këto kushte ndaj Ballukut? Ne nuk jemi për masa ekstreme, edhe nga ana njerëzore kur bëhet fjalë për një grua, një nënë, por drejtësia duhet të funksionojë,” theksoi Vokshi.
