Pasi e largoi nga drejtimi i qendrës ‘Kenedy’, presidenti amerikan Donald Trump i ka caktuar një detyre të re Richard Grenell, në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Trump e ka falënderuar Grenell ndërsa u shpreh se, detyra e mëparshme ishte e përkoheshme.
“Ai ishte ambasador në Gjermani. Siç e dini, nuk kishte grua më të lumtur në botë kur ai u largua nga ajo detyrë sesa Angela Merkel.
Ajo më telefonoi dhe tha: ‘Faleminderit, zotëri, faleminderit.’ Edhe pse e pëlqente shumë Ric-in, nuk kishte njeri më të lumtur që ai nuk do të ishte më ambasador në Gjermani.
Ai ishte i vështirë për ta. Nuk ishte ambasadori tipik. Ishte e kundërta. Ai bëri atë që ishte më e mira për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo për Gjermaninë, dhe dua t’ju them se bëri një punë të shkëlqyer.
Ai bëri një punë aq të mirë sa unë e vendosa në krye të diçkaje që quhet inteligjencë—diçka që në fakt ai nuk donte shumë ta bënte. Por ai e bëri dhe e bëri jashtëzakonisht mirë.
Kishte shumë persona që nxirrnin informacione sekrete. Ai i gjeti ata. Dhe kur nuk mundi të zbulonte se kush ishte personi që nxirrte informacionin në një rast të caktuar, ai i pushoi nga puna të gjithë’, u shpreh Trump.
