Avokati Erjon Kanxheri, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka ngritur shqetësime mbi mënyrën se si përzgjidhen bizneset për kontrolle të thelluara nga administrata tatimore, në një kohë kur debati për amnistinë dhe paqen fiskale mbetet i hapur.
Sipas tij, selektimi i bizneseve për kontroll duhet të bazohet në një analizë të mirëfilltë risku, e cila kryhet nga një bord apo komision i posaçëm, përmes një instrumenti të pavarur nga vullneti individual i një punonjësi.
“Analiza e riskut do të thotë të identifikosh bizneset me risk mbi bazën e parimeve dhe indikatorëve të qartë. Por kjo analizë risku është thuajse zero në Shqipëri”, deklaroi Kanxheri.
Ai shtoi se, në praktikë, mungon një filtër real për të përcaktuar se cilat subjekte përbëjnë rrezik për evazion apo shkelje fiskale. Sipas tij, ka raste të publikuara ku prokuroria njofton për investitorë apo biznese me detyrime të mëdha të papaguara, por pa u reflektuar kjo në një analizë të qartë risku nga administrata.
“Nëse një subjekt ka detyrime të konsiderueshme, a përbën risk? A është verifikuar mbi këtë bazë? Zero”, u shpreh ai.
Kanxheri vuri në dukje edhe mungesën e statistikave zyrtare transparente mbi numrin e bizneseve të kontrolluara, nivelin e riskut të tyre dhe kriteret e përzgjedhjes. Ai përmendi raste kur brenda një subjekti zhvillohen kontrolle të njëpasnjëshme apo paralele, madje “kontroll brenda kontrollit”, duke ngritur pikëpyetje mbi logjikën e analizës së riskut në këto situata.
“Cila është analiza e riskut në këtë rast?”, përfundoi ai, duke nënvizuar nevojën për një sistem më transparent, të standardizuar dhe të bazuar në kritere objektive në raport me biznesin.
