Këshilli i sigurisë së qeverisë së Izraelit ka miratuar një propozim të kryeministrit Benjamin Netanyahu, i cili parashikon që ushtria e vendit të pushtojë “Gazën”, raportoi pak kohë më parë Barak Ravid, një reporter izraelit për faqen e internetit të lajmeve Axios dhe CNN, duke cituar një burim të paidentifikuar të qeverisë izraelite.
Lajmi u konfirmua më vonë nga zyra e kryeministrit izraelit.
Plani, i propozuar nga Netanyahu dhe i diskutuar në takim, përfshin rrethimin e Qytetit të Gazës dhe zhvendosjen e rreth një milion banorëve në pjesën jugore të enklavës.
Një zyrtar i lartë izraelit i tha më vonë gazetës The Jerusalem Post se ushtria do të “shënjestrojë fortesat terroriste në qytet”, me operacione që më vonë do të zgjerohen në kampet qendrore të refugjatëve. Operacioni pritet të zgjasë të paktën gjashtë muaj.
Nuk është e qartë pse deklarata i referohet vetëm pushtimit të Qytetit të Gazës dhe jo të të gjithë Rripit të Gazës, siç tha Netanyahu të enjten se ishte plani i tij.
Qyteti i Gazës është pjesë e 25 përqind të Rripit të Gazës që Forcat Mbrojtëse të Izraelit nuk e kanë pushtuar ende, së bashku me disa kampe refugjatësh në Gazën qendrore.
Këto janë zona ku Izraeli beson se mbahen pengjet e mbetura, dhe Shefi i Shtabit të IDF-së, Eyal Zamir, ka shprehur kundërshtim ndaj operacionit të propozuar të Netanyahut, nga frika se kjo do të rrezikonte robërit.
Izraeli do të ofrojë ndihmë humanitare për civilët jashtë zonave të luftimit, tha zyra e kryeministrit izraelit në një deklaratë mbi atë që e quajti një vendim të kabinetit për të mbështetur “propozimin e Netanyahut për mposhtjen e Hamasit”.
Shumica e anëtarëve të kabinetit mbështetën gjithashtu një listë prej pesë parimesh që Izraeli do të kërkojë në këmbim të përfundimit të luftës me Hamasin, tha zyra e Netanyahut.
- Çarmatimi i Hamasit
- Kthimi i të gjithë 50 pengjeve të mbetura, 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë.
- Demilitarizimi i Rripit të Gazës.
- Kontrolli i sigurisë izraelite në Rripin e Gazës.
- Ekzistenca e një qeverie alternative politike që nuk është Hamasi ose Autoriteti Palestinez.
Sipas Channel 12, gjatë takimit, Netanyahu deklaroi se nuk ka ndërmend të “përjetësojë praninë e Hamasit”, por ta “mposhtë atë”. Ai shtoi se “metoda aktuale nuk ka çuar në lirimin e pengjeve dhe ne nuk do të vazhdojmë në këtë mënyrë”.
Jashtë ndërtesës, dhjetëra protestues që ishin mbledhur për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj zgjerimit të mundshëm të operacionit ushtarak u përleshën me forcat e policisë.
Protestuesit besojnë se një veprim i tillë do të vinte në rrezik të menjëhershëm jetën e pengjeve që mbahen ende brenda Rripit të Gazës dhe i kanë bërë thirrje qeverisë të zgjedhë rrugën e negociatave me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës dhe për lirimin e të gjithë pengjeve.
Izraeli, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, planifikon të përmbytë Gazën me ndihmë humanitare, deri në katër herë më të madhe se shuma aktuale, sipas mediave izraelite.
Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, tha se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të hapin 16 qendra ndihme humanitare, të cilat do të bazohen në modelet e atyre që operohen nga Fondacioni Humanitar i Gazës.
(A.A/BalkanWeb)
