Me një poezi të shkruar për të, Klit Roshi e kujtoi të atin nga skena e ArtTurbinës në një mbrëmje me poezi dhe këngë nga veriu e jugu. 100 vjetori i mjeshtrit të skenës dhe kinemasë, Nderit të Kombit, Kadri Roshi erdhi përmes imazheve dhe rrëfimeve që la- sa qe gjallë-nga fëmijëria e varfër, puna si biletashitës kinemaje, arrestimi gjatë luftës, dalja para togës së pushkatimit dhe falja e jetës prej një rastësie fatlume e lirimi nga burgu ditën e masakrës së 4 shkurtit 1944. Hapat e parë në art, si sufler në teatër e mandej rolet një e nga një erdhën përmes zërit kumbues të aktorit Kadri Roshi që krijoi personazhe të paharrueshme në një Shqipëri të mbyllur bardhezi e brenda kuadrit.

Afria e tij dhe interpretimi fatsjellës i Gogolit u shoqëruan edhe nga role ku i blatohej lirisë.

Mjeshtria e tij si aktor e bëri atë të interpretonte dy kahet e njeriu, nga kujdestari te Abdyl Frashëri.

Ata që e njohën e kujtuan për forcën, karakterin e dritën që ruante në sy.

Nga fëmijëria e varfër te madhështia në skenë dhe ekran, jeta e Kadri Roshit u soll e plotë në një sallë teatri të tejmbushur ku publiku qëndroi në këmbë ndërsa artistë të njohur e politikanë nderuan kujtimin e veprën e tij.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: