Kalaja e Shkodrës dhe Kalaja e Lëkurësit në Sarandë do të jepen me qira. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka hapur një procedurë të konkurimit publik, përmes së cilës njofton “Dhënie në përdorim ambienti shërbimi në pasurinë kulturore Kalaja Rozafa Shkodër dhe Kalaja e Lëkurësit Sarandë, monumente kulture, kategoria e parë me qëllim rijetësimi”.
Subjektet e interesuara për të marrë pjesë në konkurrimin publik janë kërkuar të dorëzojnë dokumentacionin
e mësipërm pranë protokollit te Ministrisë së Ekonomise, Kulturës dhe Inovacionit deri më 21 gusht.
Kalaja e Lëkurësit në fakt ka qenë e dhënë në përdorim edhe më herët. Ndërsa një procedurë e ngjashme me qëllim rijetëzimi u propozua edhe nga qeveria Berisha në fund të mandatit të saj në vitin 2013 duke ngjallur një debat të madh publik. Asokohe, Partia Socialiste në opozitë doli kundër dhënies me qira të monumenteve dhe me të ardhur në pushtet anuloi disa prej kontratave duke u përballur me bizneset edhe në gjykatë.
Pas hapjes së kësaj procedure nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë ka dalë kundër.
Përmes një postimi, ai e cilëson procedurën një shaka ndërsa shtron pyetjet nëse Kalaja e lekursit është Piceri apo Trashegimi Kulturore?
“Kalaja e Lëkursit e dhene me qera nga ministri i Kultures Edi Rama ishte përcaktuar të kthehej në një pikë kulturore në shërbim të trashegimisë së zonës. Pas 25 vitesh kjo kala është simboli i përdhosjes së trashëgimisë ku vetëm vlera kulturore nuk ka me” thotë Forumi.
Sipas këtij grupimi specialistësh të trashëgimisë, kalaja e ndërtuar mbi rrënojat e një kishe Bizantine është shndërruar në një seri restorantesh picerish dhe kafenesh duke i hequr çdo vlerë kulturore.
Kalaja e Shkodrës ose e Rozafës bart mbi muret e saj, pos histori e kultura të vendit, edhe legjendën që i dha emrin duke na kujtuar sa fjalën e dhënë po aq edhe mitin e ndërtimit e shkatërrimit.
