Kandidati i Partisë Demokratike për qarkun e Dibrës, Xhemal Gjunkshi, ka depozituar një kallëzim në Prokurorinë e Posaçme  ndaj kryebashkiakut të Dibrës, Rahim Spahiu, dhe drejtorit të shërbimeve publike, Bedri Kamberi. Ai i akuzon për shkelje të Kodit Zgjedhor, pasi, sipas tij, kanë vazhduar ndërtimin e një rruge gjatë periudhës zgjedhore, duke përdorur asetet publike në mënyrë të paligjshme për përfitime politike.

Pas daljes nga SPAK, Gjunkshi theksoi se pavarësisht kallëzimit të bërë që më 25 prill, aktivitetet ndërtimore vazhdojnë, përfshirë punimet në ujësjellës dhe asfaltime. Sipas tij, kjo situatë tregon një mosrespektim të ligjit dhe një përpjekje për të ndikuar votuesit nëpërmjet presionit dhe shpërdorimit të burimeve shtetërore.

Ai akuzoi gjithashtu administratën lokale për ushtrim presioni ndaj qytetarëve dhe punonjësve të sektorit publik, duke përmendur kërcënime me vendet e punës dhe manipulime përmes ndihmës ekonomike. Në deklaratën e tij, Gjunkshi përdori gjuhë të ashpër ndaj drejtuesve lokalë dhe qendrorë të PS-së, duke i quajtur “çyrykë” dhe kreun e qeverisë si “kryeçyryku”, në përgjigje ndaj termit të përdorur nga kryeministri Rama në një miting në Dibër.

Ai shtoi se “procedimi penal me numër 94 është regjistruar që më 25 prill” dhe theksoi se ka sjellë edhe prova shtesë në mbështetje të denoncimit të tij. Sipas tij, SPAK duhet të hetojë dhe të marrë masa ndaj kujtdo që shkel ligjin, pavarësisht pozitës që mban.

Për dosjen e njohur 184, që lidhet me zgjedhjet në Dibër vite më parë, Gjunkshi tha se hetimet janë ende të hapura dhe akuzoi për përfshirje edhe figura të larta të Partisë Socialiste, përfshirë kryeministrin. Ai kërkoi nga SPAK që të veprojë me profesionalizëm dhe paanshmëri. Në fund, ai shprehu bindjen se Partia Demokratike do të triumfojë në zgjedhjet e 11 majit në Dibër, duke deklaruar: “PD do marrë 4 mandate dhe PS vetëm 1 në Dibër”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb