Endrit Shabani, i ftuar në studion e News24 për herë të parë pas emërimit si Avokat i Popullit, ka folur për dinamikat që shoqëruan zgjedhjen e tij, duke komentuar edhe qëndrimin e Partisë Demokratike, e cila mohoi përkatësinë e saj me të dhe kërkoi ndjesë për dhënien e firmave.
“Nuk jam terrorist që të kesh frikë të asociohesh me mua. Kam qenë në një front me ta në zgjedhjet e fundit lokale për të mbështetur Florjan Binajn për bashkinë Tiranë. Kam bashkëpunuar me partitë opozitare në Këshillin Bashkiak dhe kam qenë partner i tyre në disa beteja. Nuk kam sulmuar shumë emra, por kam thënë disa të vërteta në sy ndaj Berishës dhe disa të tjerëve. Nuk ka qenë qëllimi im të sulmoj njeri, por kam denoncuar shkelje dhe abuzime që kanë sjellë edhe dënime për personat që kanë shkelur ligjin dhe kanë abuzuar me pushtetin”, deklaroi Shabani.
Ai u ndal gjithashtu te firmat e deputetëve opozitarë: “Mendoni se 35 deputetë të opozitës nuk kanë parë emrin e kujt po firmosin? Mund të ketë pasur dinamika të brendshme që kanë ndodhur dhe unë nuk i di. Ka qenë Adriana Kalaja kandidate po ashtu, ndoshta ata e kanë pasur atë si preferencë. Ata kanë firmosur më shumë se një kandidat. Unë u jam mirënjohës që kanë dhënë firmat për zgjedhjen time dhe kanë lejuar që deputetët të firmosin për mua.”
Shabani shtoi se ka takuar personalisht shumicën e tyre: “Kam pirë rreth 30-40 kafe me të gjithë ata që firmosën. Klevis Balliu ka firmosur bashkë me dy deputetë të tjerë, Xhelal Mziun dhe Ina Zhupën. Me Mziun jam takuar në kafe dhe e falënderova; ai më tha të mbështes. Askush nuk ka firmosur pa e ditur.”
