Ndryshimi i klasës politike në Shqipëri dhe largimi i liderëve të vjetër është një tjetër kërkesë e fortë që po artikulohet para protestës masive në Tiranë.

Një emigrant shqiptar i ardhur nga Brukseli ka folur për mikrofonin e News24, duke shprehur revoltën e tij ndaj faktit që prej më shumë se tre dekadash, skena politike shqiptare dominohet nga të njëjtat figura.

Ai bëri thirrje për një zgjim mbarëpopullor, duke krahasuar rotacionin politik në Belgjikë me amullinë 35-vjeçare në Shqipëri.

“Vij nga Brukseli dhe më ka shtyrë diçka e madhe për të ardhur në Shqipëri. Ka ardhur një kohë ku kemi kuptuar çdo gjë që ka ndodhur në 35 vitet e fundit. Shqiptarët duhet të ngrihen se kjo klasë politike na ka robëruar. Kam ikur që fëmijë nga këtu dhe më vjen turp që të ndez TV sot dhe shoh akoma dy figura politike, nuk dua t’u përmend as emrat, Ramës dhe Berishës. Janë të neveritur,” u shpreh ai.

Më tej, biznesmeni nga diaspora tregoi një shembull personal se si kjo situatë ka ndikuar edhe te brezi i ri që po rritet jashtë vendit, duke ilustruar ngulitjen e të njëjtave imazhe politike.

“Unë kam pasur fatin të njoh njerëz me pushtet, kam një biznes ku kam pasur lidhje me politikanë në Belgjikë, por në çdo 4 vite kam parë njerëz të tjerë atje, qofshin ambasadorë, komisionerë, etj. Në Shqipëri këtu shohim gjithnjë të njëjtët njerëz dhe figura. Fëmija im 5 vjeç thotë ‘doli Berisha, doli Rama’. Edhe atij i është ngulitur në kokë se vetëm këta jetojnë në Shqipëri,” tregoi protestuesi.

Në mbyllje të fjalës së tij, ai u bëri një thirrje publike bizneseve por edhe artistëve shqiptarë që të braktisin interesat financiare dhe t’i bashkohen lëvizjes qytetare për të shpëtuar të ardhmen e kombit.

“U lutem të gjithëve që kanë dhe një biznes, për të shpëtuar këtë komb, për të mbështetur këtë lëvizje, që e shohim për herë të parë. Edhe artistët që mbushin sheshet, ku jeni? Pse paskeni nevojë vetëm për lekë të thërrisni njerëzit në koncerte? Dilni këtu, kjo është e ardhmja jonë,” përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb