Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka deklaruar se vijon të marrë informacione dhe dokumente nga brenda institucioneve shtetërore, Policisë, shërbimeve sekrete, por edhe nga brenda Partisë Socialiste.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24 me Ola Brukon, Ahmetaj pretendoi se vetëm dy ditë më parë, pas intervistës së tij të fundit, i kishte mbërritur një tjetër dosje me informacione për AKSHI-n, të cilën e cilësoi si “një tmerr”.

Sipas ish-zëvendëskryeministrit, informacionet që i mbërrijnë nuk vijnë vetëm nga qytetarët, por edhe nga persona që ndodhen brenda strukturave shtetërore dhe politike.

“Janë qindra mijëra qytetarë që më dërgojnë. Pardje, pas intervistës, më erdhi një dosje tjetër për AKSHI, edhe ajo një tmerr. Edhe nga brenda Policisë dhe shërbimeve sekrete më vijnë informacione, edhe nga brenda grupit të PS më vijnë informacione”, deklaroi Ahmetaj.

Ish-zëvendëskryeministri ka vijuar akuzat ndaj qeverisë dhe mënyrës së menaxhimit të fondeve publike, ndërsa AKSHI ka qenë një prej institucioneve që ai ka përmendur në akuzat e tij.

“Lufta ime për veten, familjen dhe Shqipërinë vijon”, deklaroi Ahmetaj në përfundim të intervistës, duke preferuar të mos japë detaje mbi të dhënat që përfshin dosja për AKSHI.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb