Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se projekti “Smart city Albania” do “ndjekë të gjitha fytyrat e krimit”.
Gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet Rama nënvizoi se në harkun e dy viteve Shqipëria do të jetë në nivelin e vendeve më të sigurta në botë.
“Për pastërtinë kemi problematikë të tmerrshme gjatë sezonit turistik, të hedhjes së mbeturinave. Ky sistem t’i sjell të gjithë njerëzit rresht në ekran. Të gjitha fytyrat e krimit do t’i ndjekë vetë. Është një revolucion që vjen në tërësinë e transformimeve që ne po bëjmë falë bekimit të teknologjisë së lartë. Ky projekt mori disa kohë dhe sot me firmosjen e marrëveshjes fillon zbatimi. Më herët se vonë do të shohim edhe rezultate. Në harkun e 2 viteve Shqipëria do jetë në nivelin e vendeve më të sigurta të botës. Dhe jo në sensin që shohim por që do jetë shumë e vështirë për të lëvizur në rrugët e Shqipërisë për të bërë keq. Në mos e vështirë do të jetë e pamundur.
Në Shqipëri jemi në kohë absurditetesh…Por qeveria e Emirateve të Bashkuara është e shtrenjte e Shqipërisë dhe shqiptarëve, të shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë meqë ra fjala. Do të përfitojnë të gjithë qytetarët e drejtës, të gjithë sipërmarrësit që duan të bëjnë sipërmarrje të pashqetësuar dhe përfitojnë të gjithë drejtuesit dhe punonjësit e ndershëm të policisë së shtetit”, tha ai.
