Pamje fantastike nga një realitet gati i paprekshëm për gjithkënd nga ne na ka ofruar gjatë këtij muaji Parku Kombëtar i Tomorrit. Kamerat-kurth të instaluara nga Agjensia e Zonave të Mbrojtura në Berat në të gjithë Habitatin e Tomorrit kanë filmuar dhe fotografuar kafshët e egra, që si banorët e pyllit bëjnë “paradë”, madje disa prej tyre edhe pozojnë pa vetëdije përpara kamerave.

Mbi 30 lloj gjitarësh janë shfaqur gjatë këtij muaji në Parkun Kombëtar të Tomorrit, mes tyre edhe disa kafshë që prej vitesh nuk ishin parë në pyjet tona. Kafshë të shumta si: ariu i murrmë (Ursus arctos), macja e egër (Felis silvestris), derri i egër (Sus scrofa), kunadhja (Martes foina),dhelpra (Vulpes vulpes),ujku (Canis lupus), rrëqebulli, kaprollja, gjeli i egër, dhia e egër etj, janë kapur në Habitatin e Parkut Kombëtar të Tomorrit me anë të kamerave speciale të pajisura me sensorë. Nëpërmjet këtyre kamerave, News 24 dhe ‘BalkanWeb’ kanë siguruar videon fantastike të shumë prej këtyre kafshëve, që rrallë herë janë filmuar kaq nga afër dhe të pa shqetësuara. Sipas Agjensisë së Zonave të Mbrojtura në Berat, Shqipëria e jugut është habitati më i pasur në vendin tonë.

Specialistët e kësaj agjensie rajonale e konsiderojnë Habitatin e Tomorrit si një nga habitatet natyrore më të pasura, për shkak të erës kontinentale dhe faktit se në këtë habitat kemi dy lloje klimash të ndryshme njëkohësisht dhe shira të ndryshueshëm. Sipas specialistëve të AZM-së Berat, gjatë fundit të muajit Shtator dhe përgjatë gjithë muajit Tetor janë konstatuar rreth 15 krerë dhi të egra në majën jugore të Malit të Tomorrit, ndërkohë që kafshë si: Ariu, macja e egër, kaprodhi, gjeli i egër, ujku, dhelpra etj janë parë të popullojnë pjesën perëndimore të malit. Duke e cilësuar Parkun Kombëtar të Tomorrit, me një sipërfaqe prej 26.800 ha, si habitatin më të pasur në vendin tonë specialistët e AZB-së Berat konfirmojnë se gjatë këtij viti në këtë park kombëtar, përveç kafshëve të egra ka pasur edhe shumëllojmëri shpendësh të egra, që janë konstatuar më së shumti mbi disa lloje bimore endemike.
(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb