Autoritetet greke në Igumenicë kanë sekuestruar një sasi të madhe lënde narkotike, duke zbuluar rreth 500 kilogramë kanabis të llojit “skunk” të fshehur në një kamion që transportonte mallra letre. Në lidhje me rastin është arrestuar shoferi i mjetit, një shtetas bullgar.
Operacioni u zhvillua nga Policia Helenike, përmes njësive të specializuara DAOE, gjatë një kontrolli të detajuar në portin e Igumenicës.
Sipas hetimeve paraprake, droga ishte e kamufluar brenda një ngarkese me produkte letre, përfshirë peshqirë dhe rrotulla letre, me qëllim shmangien e zbulimit nga autoritetet.
Ngarkesa dyshohet se kishte nisur nga Valencia në Spanjë dhe kishte kaluar përmes Italisë përpara se të mbërrinte në Greqi. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që destinacioni përfundimtar të ishte Turqia, ku kjo lloj droge ka vlerë më të lartë në treg.
Sipas burimeve policore, i arrestuari nuk po bashkëpunon me autoritetet dhe ka refuzuar të japë informacione mbi rrjetin e dyshuar të trafikut të drogës.
