Kombëtarja e Italisë në volejboll për meshkuj është shpallur këtë të dielë kampione e botës. Titull që kombëtarja “azzurre” e fiton për të pestën herë në histori, duke mbrojtur titullin e fituar në vitin 2022. Në finalen e luajtur në Filipine, ekipi i kombëtares së Italisë fitoi 3-1 ndaj Bullgarisë (25-21, 25- 17, 17-25, 25-10). Një ndeshje thuajse e dominuar totalisht nga volejbollistët e trajnerit De Giorgi.
Bullgaria, që rikthehej në finalen e një botërori pas 55 vitesh, nuk arriti dot të bëjë diferencën në sfidën më të vështirë të turneut. Bullgarët fituan setin e 3, ndërsa qëndruan në garë edhe në 3 setet e tjera, por pa mundur dot ti bënin ballë italianëve, që ishin skuadra më e mirë në harkun e të gjithë turneut. Italia konfirmohet kështu si kombëtarja më e mirë në botë. Pak javë më parë, Italia pati fituar edhe botërorin e femrave, duke arritur kështu një sukses të dyfishtë me të dyja ekipet kombëtare. Fakt ky që tregon se volejbolli italian ndodhet në majat e botës.
Një vit perfekt që kurorëzon “azzurrët” si ekipi më i mirë në botë në sportin e rrjetës. Në vitet kur skuadra italiane në futboll rrezikon të mos marrë pjesë për herë të 3 në finalet e Kupës së Botës, kombëtarja e volejbollit mund të shërbejë si një ngushëllim e si në ndjenjë krenarie për të gjithë tifozët “azzurr”.
