Bashkimi Evropian dhe Kanadaja kanë rënë dakord të përcaktojnë deri në samitin e vitit 2027 formatin e një marrëdhënieje të re dhe më të ngushtë mes tyre, pa arritur deri në anëtarësimin e plotë të Kanadasë në Union.
Sipas një deklarate të përbashkët, palët do të shqyrtojnë se çfarë do të përfshinte një “shoqërim gjithnjë e më i ngushtë” dhe çfarë statusi të veçantë mund të ketë Kanadaja në raport me BE-në.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi të enjten se të dyja palët po eksplorojnë mundësinë që Kanadaja të bëhet “anëtarja e parë e asociuar” e Bashkimit Evropian. Megjithatë, ky formulim nuk u përfshi në deklaratën përfundimtare, pasi ka shkaktuar diskutime dhe kundërshtime mes shteteve anëtare, veçanërisht nga Gjermania dhe disa vende të tjera.
Kryeministri kanadez Mark Carney e cilësoi këtë nismë si një “aleancë për të ardhmen”, e cila do të përqendrohet në bashkëpunimin strategjik në fusha si inteligjenca artificiale, energjia, lëndët e para kritike dhe teknologjitë kuantike.
“Ne po punojmë për të arritur partneritetin më të thellë të mundshëm, por jo anëtarësimin e plotë”, deklaroi Carney, duke shprehur ambicien që Kanadaja të bëhet anëtarja e parë e asociuar e BE-së.
Megjithatë, koncepti i “anëtarësimit të asociuar” nuk ka aktualisht një status të përcaktuar ligjor në traktatet e Bashkimit Evropian dhe mbetet një ide që kërkon dakordësinë e vendeve anëtare.
Palët pritet të vijojnë diskutimet deri në samitin e vitit 2027, ku synohet të përcaktohen konkretisht përmbajtja dhe kufijtë e këtij partneriteti të ri.
