Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, njoftoi sot se kishte informacione “të besueshme” që lidhin agjentët e qeverisë indiane me vrasjen e një udhëheqësi separatist Sikh në British Columbia në qershor të këtij viti.

Pretendimi i Kanadasë shënon një përkeqësim të ndjeshëm të lidhjeve bilaterale midis vendeve në një kohë kur India është tashmë e pakënaqur që autoritetet kanadeze nuk po godasin protestuesit sikhë që duan atdheun e tyre të pavarur nga India.

Të martën, një zëdhënës i qeverisë indiane i quajti akuzat “absurde dhe të motivuara”, duke shtuar se pretendimet e kryeministrit kanadez refuzohen kategorikisht”.

Autoritetet kanadeze gjithashtu thonë se kanë dëbuar një “diplomat indian”, i cili është kreu i agjencisë së inteligjencës së jashtme të Indisë në Kanada.

Më 18 qershor të këtij viti, Hardeep Singh Nijjar u qëllua për vdekje jashtë një tempulli Sikh në Surrey, British Columbia të Kanadasë.

Nijjar kishte bërë fushatë për një komb të pavarur Sikh dhe për këtë arsye ai kërkohej nga autoritetet indiane dhe ishte shpallur si “terrorist” në korrik 2020.

Ai ishte paralajmëruar nga agjencia e spiunazhit të Kanadasë për kërcënimet kundër tij, sipas Organizatës Botërore të Sikhëve të Kanadasë, e cila pretendonte se ai ishte “vrarë në një sulm të shënjestruar”.

Kanadaja është shtëpia e një prej komuniteteve më të mëdha me origjinë indiane, e cila numëron afërsisht 1.4 milion nga një popullsi e përgjithshme kanadeze prej 40 milion. Rreth 770,000 njerëz u vetë deklaruan si besimtarë Sikh gjatë censusit të vitit 2021.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb