Kanadaja ka pezulluar pa afat planet për zgjerimin e ligjit për vdekjen e asistuar mjekësisht për personat, gjendja e vetme shëndetësore e të cilëve është një sëmundje mendore. Vendimi u bë i ditur nga ministri kanadez i Drejtësisë, Sean Fraser, i cili tha se mungesa e një konsensusi të qartë mbi kriteret e përshtatshmërisë e bën këtë qasje më të arsyeshme.
Sipas planit të mëparshëm, zgjerimi i programit të asistuar mjekësisht për vdekjen, i njohur në Kanada si MAID, do të hynte në fuqi në mars të vitit 2027. Qeveria do të paraqesë në javët e ardhshme një projektligj që do ta pezullojë këtë zgjerim në mënyrë të pacaktuar.
Fraser tha se çështja mbetet e ndërlikuar dhe se Gjykata Supreme mund të shprehet në të ardhmen për të. Ndërkohë, një çështje gjyqësore është ende në shqyrtim, pasi kundërshtohet vendimi i mëparshëm i qeverisë për shtyrjen e aksesit në vdekjen e asistuar për personat me sëmundje mendore.
Mbështetësit e zgjerimit argumentojnë se personat me sëmundje mendore duhet të kenë të njëjtat të drejta si pacientët me sëmundje të tjera dhe se përjashtimi i tyre cenon të drejtat kushtetuese dhe aksesin në kujdesin shëndetësor. Ndërsa kundërshtarët ngrenë shqetësime nëse mjekësia ka njohuri të mjaftueshme për të përcaktuar me siguri se cilat sëmundje mendore janë të pakthyeshme dhe kur një person plotëson kushtet për një vendim të tillë.
Kanadaja legalizoi vdekjen e asistuar mjekësisht në vitin 2016 për personat me sëmundje terminale. Në vitin 2021, pas një vendimi gjyqësor në Quebec, programi u zgjerua edhe për personat me gjendje të pashërueshme, por jo domosdoshmërisht me vdekje të afërt. Kjo kategori njihet si “Track Tuo” MAID.
Zgjerimi ka shkaktuar debate të forta në Kanada. Organizata që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara kanë ngritur shqetësime për raste kur vdekja e asistuar u është ofruar personave me aftësi të kufizuara edhe pa e kërkuar vetë një mundësi të tillë.
Qeveria kanadeze planifikon gjithashtu që ligji i ri të lejojë kërkesat paraprake për vdekjen e asistuar nga pacientët me sëmundje të pashërueshme progresive, në mënyrë që ata të mund të japin pëlqimin përpara se gjendja e tyre të përkeqësohet deri në pikën ku nuk janë më në gjendje ta bëjnë këtë.
Disa ekspertë kanë ngritur edhe shqetësimin se programi mund të përdoret për të lehtësuar vuajtjet e personave që në fakt do të kishin nevojë për më shumë mbështetje sociale, strehim të përballueshëm dhe kujdes shëndetësor, dhe jo për një ndërhyrje që duhet të konsiderohet si zgjidhja e fundit.
