Kancelari gjerman Friedrich Merz zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, me qëllim nxitjen e rifillimit të dërgesave ushtarake për Ukrainën, me theks të veçantë tek sistemet e mbrojtjes ajrore. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, i cili bëri me dije se telefonata ishte iniciuar nga vetë Merz pas pezullimit të një pakete ndihme ushtarake amerikane që përfshinte edhe sistemin Patriot.
Sipas gazetës BILD, Berlini është duke negociuar me SHBA për të marrë dy sisteme Patriot të destinuara për Ukrainën, si pjesë e një marrëveshjeje të mëhershme të arritur me ish-presidentin Joe Biden. Kornelius konfirmoi gjithashtu se Gjermania ka shprehur gatishmërinë për të përballuar të gjithë koston e kësaj ndihme emergjente, e cila kap vlerën e rreth 500 milionë eurove.
Agjencia Bloomberg raportoi se ky propozim është dorëzuar prej disa javësh në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, ndërsa revista “Der Spiegel” theksoi se gjatë bisedës me Merz, presidenti Trump nuk mori asnjë angazhim konkret.
Në të njëjtën kohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi një bisedë të ndarë telefonike me Trump-in, duke njoftuar më pas se të dy palët kishin rënë dakord për të bashkëpunuar në forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, megjithëse pa dhënë detaje.
Në kontrast, Trump zhvilloi gjithashtu një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin, e cila sipas deklaratës publike të tij nuk solli asnjë progres. Zëdhënësi gjerman Kornelius tha se kancelari Merz sheh një lidhje të drejtpërdrejtë mes kësaj bisede dhe intensifikimit të sulmeve ajrore të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Pas çdo telefonate me Putinin ndodhin bombardime të përshkallëzuara. Sulmet e djeshme në Kiev vetëm e përforcojnë këtë model,” u shpreh Kornelius.
Presidenti Zelensky shtoi se sulmet në fjalë dëshmojnë qartë mungesën e vullnetit të Moskës për t’i dhënë fund luftës.
Javën e ardhshme, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, do të udhëtojë drejt Uashingtonit për të diskutuar me homologun amerikan Pete Hegseth mbi hapat e ardhshëm në mbështetje të Ukrainës.
