NGA OLA MITRE*

TIRANË- Dhimbje barku, humbje e oreksit, dobësi dhe humbje pa shkak të peshës apo gjak në jashtëqitje janë shenjat e para të kancerit të zorrës së trashë”. Deklarata vjen nga mjekja gastrohepatologe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Stela Taçi, e cila përmes kësaj interviste shpjegon në detaje sesi mund të parandalohet apo zbulohet në kohë kjo sëmundje, që në të shumtën e rasteve nuk shfaq shenja në fazat e hershme të zhvillimit të saj.

Doktoreshë, çfarë është kanceri i zorrës së trashë?
Kanceri është formacion tumoral me qeliza atipike që rritet në paretin e zorrës së trashë dhe duke u zhvilluar, prek gradualisht gjithë murin e saj dhe përhapet lokalisht dhe në distancë në organe të tjera të trupit.

Cilat janë simptomat me të cilat shoqërohet kjo sëmundje?
Shpesh kanceri i zorrëve për një kohë të gjatë nuk shkakton simptoma. Megjithatë, atë mund ta sinjalizojnë shqetësimet në vijim: gjaku në fekale (ngjyrim i kuq ose i zi i feçeve), problemet gjatë jashtëqitjes (për shembull presioni për jashtëqitje, pa qenë nevoja për një gjë të tillë) si dhe dhimbjet e reja, të papritura, të barkut. Po ashtu vërehet ndryshimi i shprehive të “daljes jashtë”; për shembull, alternime të diarresë dhe konstipacionit (kapsllëkut), jashtëqitjes së hollë sa një laps, ngërçeve gjatë jashtëqitjes ose mbufatjeve të forta pa ua ditur shkaktarin, humbja e padëshirueshme e peshës. Jashtëqitja e shpeshtë është simptoma tipike e kancerit kolorektal.

Përveç tyre, edhe dhimbja e barkut, humbja e oreksit, dobësia dhe humbja pa shkak e peshës, gjaku në jashtëqitje janë shenjat e para të kancerit kolorektal. Përveç kësaj, mund të shfaqet anemi e pashpjegueshme ose humbje e konsiderueshme peshe. Për arsye të mungesës së të kuptuarit në kohë të kancerit kolorektal, aktualisht shumica e pacientëve që marrin mjekim janë me kancer të avancuar kolorektal. Në kancerin e hershëm të zorrës shpesh nuk ka simptoma: pasi zbulohen gjak dhe qelb në jashtëqitje, sëmundja ka përparuar. Është e rëndësishme që pacientët të bëjnë kontrolle të rregullta shëndetësore. Për arsye se sëmundja e kancerit kolorektal ka lidhje të drejtpërdrejtë me stilin e jetës, duhet që për ta parandaluar që në fazat e para, të kemi një jetë të rregullt.

Si mund ta parandalojmë këtë sëmundje?
Një stil i shëndoshë jetese mund të ulë rrezikun për një sëmundje të kancerit të zorrës: lëvizja e mjaftueshme; pa mbipeshë; ushqimi i baraspeshuar me shumë fruta, perime, sallata dhe lëndë fibrike, pak yndyrë dhe pak mish të kuq; pa duhanpirje.

Duke qenë se në fazat e hershme kanceri i zorrës së trashë nuk ka simptoma, çfarë mund të bëjmë për ta zbuluar në faza jo të avancuara?
Për zbulimin e hershëm të kancerit në zorrë janë të favorshme dy metoda: kontrollimi i feçeve për prani gjaku (testi okult i gjakut; okult = fshehur) dhe imazhi vizual i zorrëve (kolonoskopia). Përmes testit okult të gjakut provohet prania e gjakut në feçe, gjë që vetëm me sy nuk shihet dot dhe që eventualisht mund të rrjedhë prej ndonjë tumori zorrësh. Për të sqaruar se kur dhe në cilin hark kohor janë të arsyeshme masat për zbulimin e hershëm, duhet këshilluar mjeku familjar.

Cilët janë faktorët rrezikues që “favorizojnë” sëmundjen?
Disa njerëz kanë një risk të shtuar, të kushtëzuar nga vetja ose nga rrethanat familjare, për t’u prekur nga kanceri i zorrës. Situatat rrezikuese janë: sëmundjet inflamatore kronike të zorrëve, sëmundje të caktuara të trashëgueshme, në të cilat shfaqen në masë të madhe adenoidet mukozale në zorrë, sëmundjet kanceroze të zorrëve te më të afërmit, para së gjithash, nëse tumori është shfaqur përpara moshës 50-vjeçare.

Vlerësohet se rreth 10-15% të të gjitha sëmundjeve kanceroze shpjegohen përmes një predispozite trashëgimore. Faktorë mund të jenë dhe polipë të shfaqur në zorrë më herët. Personat e prekur do të duhej që qysh në vitet e rinisë të marrin në konsideratë masa për zbulimin e hershëm të kancerit në zorrë. Edhe kur nuk ekziston ndonjë predispozitë e veçantë për kancer zorrësh, ka faktorë që shtojnë rrezikun nga kanceri i zorrëve, si: mungesa e lëvizjes; mbipesha; ushqimi i pashëndetshëm, për shembull me nivel të madh yndyrnash dhe me pak fibra (substanca fibrike) apo duhanpirja.

Cilat janë format e trajtimit të kësaj sëmundjeje?
Metoda e trajtimit që do të vihet në veprim varet, mes të tjerash, se sa ka përparuar tashmë tumori. Kurdo që të jetë e mundur, kanceri i zorrës do të hiqet operativisht. Në qoftë se tumori është në një stad shumë të hershëm, pas ndërhyrjes, terapia do të jetë e përfunduar. Te kanceri i zorrës në stade më të përparuara janë të domosdoshme terapi të tjera. Shpeshherë tumori qysh përpara operacionit do të rrezatohet dhe/ose do të trajtohet me kimioterapi. Me këtë masë synohet zvogëlimi i tumorit, me qëllim që shpresat për suksesin e operacionit të rriten. Një mundësi tjetër trajtimi është një kimioterapi pas përfundimit të operacionit. Në rast se tumori ka krijuar tashmë metastaza, ekzistojnë mundësi të tjera terapeutike, si për shembull një terapi e kombinuar rrezatimesh dhe kimioterapie ose një trajtim me medikamente moderne. Një terapi medikamentoze mund të zbusë shqetësimet dhe të zgjasë kohën e mbetur për të jetuar.

Çfarë kontrollesh duhen kryer pas bërjes së operacionit?
Pas përfundimit të trajtimit të kancerit, pacientët duhet ta vizitojnë rregullisht mjekun për kontrollime në kuadër të përkujdesjes shëndetësore të mëpasshme. Ai do t’i japë secilit pacient rekomandime individuale se cilat kontrollime në cilin hark kohor janë të domosdoshme.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: