TIRANË-Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Kamzës Xhelal Mziu deklaron se do marrë vota nga e majta dhe e djathta në zgjedhjet e 21 qershorit. Mziu thekson se votat do të jenë mbështetje për të pasi ka kryer investime këtio 8 vite. Kryebashkiaku i Kamzës ka inspektuar sot punimet në rrugën “Kozare” në Laknas një nga dhjetëra segmentet rrugore që po ndërhyhet prej më shumë se një muaji për rikonstruksion, e cila lidh qendrën e Laknasit dhe Kamzën.
“Aktualisht jemi në investimin e rrugës “Kozare”. Është një segment rrugor mjaft i rëndësishëm për qytetin e Kamzës, është një nyje lidhëse për lagjen e Laknasit me qendrën e Kamzës. Është një investim që kushton më shumë se 15 milionë lekë të reja me të ardhurat e Bashkisë. Nuk është segmenti i parë që është investuar në këtë vit. Janë më shumë sesa 50 segmente rrugore dhe kanale të ujërave të zeza të cilat do të jenë pjesë e investimeve të buxhetit të Bashkisë për vitin 2015, por edhe disa investime të cilat kanë qenë me financim 2-vjeçar”, tha ai.
Më tej ai u shpreh se “kjo rrugë në të cilën ne jemi, ka një impakt të jashtëzakonshëm social për qytetarët e kësaj zone, por edhe për të tjerë, duke qenë një nyje lidhëse”. “Janë disa segmente rrugore të cilat janë bërë. Nuk është e para edhe për këtë vit. Sidoqoftë, e rëndësishme është që buxheti i Bashkisë është ndër buxhetet më konkurruese, jo vetëm me vitet e kaluara”, ka thënë kreu i Bashkisë Kamzë gjatë inspektimit të punimeve.
Sipas tij, edhe pse ka munguar financimi nga qeveria, falë menaxhimit të Bashkisë, falë taksave dhe tatimeve të mbledhura, janë dërguar këto taksa dhe tatime të mbledhura për investime”. “Duhet të theksoj që edhe pse ka qenë viti i tetë i drejtimit të kësaj Bashkie, në çdo vit ne kemi pasur një shifër rekord, më shumë sesa 60% të buxhetit të Bashkisë ka shkuar për investime. Edhe ky vit do të ketë të njëjtin trend për të pasur sa më shumë investime, të cilat kanë qenë kryesorja në këto tetë vite”, është shprehur Mziu.
(a.n/BalkanWeb)
