Kryeministri Edi Rama ka zbardhur detaje të reja sa i përket listave me të cilat Partia Socialiste do të garojë në 11 maj.
Ai u shpreh se edhe pse bisedimet vijojnë prej 2 ditësh me drejtuesit politikë në qarqe dhe jo vetë, procesi nuk ka përfunduar ende.
Ajo që është e sigurt sipas kreut të qeverisë është fakti se në lista do të ketë shumë emra të rinj, ndërsa sa i përket deputetëve që kanë qenë në Kuvend për të paktën një mandat, ato do të jenë në listat e hapura. Kushdo që nuk pranon të jetë pjesë e listave të hapura sipas tij do të duhet të njoftojë paraprakisht drejtuesit politikë.
“Nuk kemi akoma përmbyllur të gjithë procesin që natyrisht do të përmbyllet në Kryesinë e Partisë Socialiste, por ajo që dua të ndaj me ju, është e para cilido dhe cilado prej jush që nuk pranon të jetë në listën e hapur, duhet t’ia bëjë me dije drejtuesit ose drejtueses politike. Parimi themelor i listës së re, do të jetë asnjë deputet në gjininë mashkullore që ka marrë qoftë dhe një mandat nga Partia Socialiste, nuk do të jetë në listën e mbyllur. Është e drejta e kujtdo që për arsye të ndryshme nuk dëshiron të jetë në listën e hapur që ta thotë, por duhet të na thotë përpara që të mos jetë në listë dhe pastaj të mos thotë jo po unë nuk shkoj, sepse parimisht luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe që kanë marrë më shumë nga votuesit dhe Partia Socialiste të parët. Patjetër që në listën e hapur do të ketë dhe plot të rinj e plot të reja. E dyta, diskutimi ka qenë, unë e kam shprehur dhe kam thënë që drejtuesit politikë duhet të jenë në listën e hapur. Problemi që më duket se ka argumenti im, është që kjo do çorodiste gjithë procesin sepse nuk do të lejonte asnjë barazi shansesh në garë dhe nga ana tjetër, nuk do të garantonte asnjë lloj drejtimi të vërtetë politik të garës, të ndeshjes nga ana jonë, pasi drejtuesit politikë do të ishin të fokusuar për të marrë vota për vete, dhe me një status më të veçantë do të krijonin pabarazi vetvetiu dhe do të çorientohej gjithë skuadra, ndërkohë që skuadrat e qarqeve duhet të jenë super kompakte dhe duhet të kenë drejtim politik dhe drejtuesit politikë duhet të garantojnë që të gjithë deputetët dhe deputetet që janë në garë, të kenë një hapësirë të barabartë, sa më të barabartë dhe asnjë drejtues politik, natyrisht nuk besoj kurrë që mund të futet në preferenca se për kë duhet të votojnë anëtarët e Partisë Socialiste dhe qytetarët. Kjo është e padiskutueshme, dhe natyrisht e njëjta gjë vlen në rastin tim. Me thënë të drejtën, as e kam pasur dhe as e kam shumë idenë se pse unë duhet të jem aty në parlament si deputet për sa kohë kam këtë detyrë, dhe nga ana tjetër do ishte prap një hyrje në hak ndaj të tjerëve që të vendosej emri im dhe pastaj të vinin votat dhe të çorientoheshin njerëzit. Kështu që, kush është në listën e hapur duhet të jetë në një garë shumë të barabartë. Ndërsa përsa i përket deputeteve, po shkojmë drejt të njëjtin princip, por do shohim deri në fund si do materializohet. Të gjitha deputetet që kanë qoftë dhe një mandat, do të jenë në fushë. Pse? Për faktin se me sistemin e ri që kemi, gara është e balancuar. Burrat garojnë me burrat, gratë garojnë me gratë. Dhe një gjë në fund fare, sepse mund të jetë një diskutim i brendshëm që kontributet, çfarë kanë dhënë këta të rinj ose të reja që të jenë në listën e mbyllur. Unë kam një këndvështrim komplet tjetër. Unë mendoj që pikërisht pse këta janë më të rinj dhe më të reja dhe ftohen ose përfshihen për t’i bërë një transfuzion të fuqishëm gjaku Partisë Socialiste dhe për ta bërë partinë më të vjetër dhe më të re në Shqipëri, duhet të jenë aty. Ndërkohë që, të tjerët pikërisht se kanë qenë aty duhet të jenë në fushë për të marrë sa më shumë vota për Partinë Socialiste”, tha Rama.
(BalkanWeb)
