NGA ARMIR MEHAJ*
PUKË- Vetëm pak ditë pas prezantimit si kandidat i së majtës për Bashkinë e Pukës, Rustem Strugaj tërhiqet nga gara. Lajmin e ka bërë të ditur sot vetë z. Strugaj përmes rrjetit social Facebook ku bën të ditur se për shkaqe shëndetësore duhet të tërhiqej nga sfida, e cila ju besua disa ditë më parë.
Strugaj i cili prej ditësh nuk është parë të vijojë fushatën elektorale, nga e hëna mësohet se ndodhet i shtruar në mjediset e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Teksa sot mori dhe përgjigjen e analizave, mjeket mësohet ti kenë rekomanduar Strugajt pushim për një kohë të gjatë, pasi problemet kardiake nuk i toleronin ngarkesën që do i sillte fushata në vijim.
Bashkë me lajmin e tërheqjes nga kandidimi, Rustem Strugaj ka falënderuar të gjithë mbështetësit e tij për kandidimin dhe Partinë Socialiste me kryetarin Rama.
Dorëheqja e papritur e Strugajt ka ngjallur shumë dyshime mbi qëndrimin e tij të papritur, por fakt i vërtetë është shtrimi prej së hënës i kandidatit të së majtës në mjediset e QSUT.
Teksa Rustem Strugaj u tërhoq, shumë prej pretendentëve për kandidat në Bashkinë e Pukës sot filluan punë për të qenë rival të kandidatit të PD, Rrok Dodaj dhe pukjanët pas surprizës së kësaj të enjte duket se do të përballen me të tjera surpriza nga kampi i majtë.
(ma.ar/BalkanWeb)
