Një incident ka ndodhur gjatë një aktiviteti elektoral në zonën e Shkozës, ku kandidati i subjektit politik “Shqipëria Madhështore”, Rivelino Cuno, ka raportuar në polici se është penguar gjatë zhvillimit të fushatës.
Si pasojë, një 42-vjeçare është proceduar në gjendje të lirë pasi, sipas saj, ka ofenduar pjesëmarrësit për shkak të shqetësimit nga zhurmat pranë banesës së saj, pa qenë në dijeni për natyrën e aktivitetit. Policia po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Pasditen e djeshme, shtetasi Rivelino Cuno, 38 vjeç, kandidat për deputet i një subjekti politik, ka njoftuar Policinë se ishte penguar gjatë aktivitetit të tij elektoral, në Shkozë. Shërbimet e Policisë kanë kryer veprimet për rastin dhe kanë shoqëruar në komisariat, shtetasen Sh. S., 42 vjeçe, banuese në Shkozë, e cila ka deklaruar se i ka ofenduar pjesëmarrësit në këtë aktivitet pasi ishte shqetësuar nga zhurmat e krijuara afër pallatit ku ajo banon dhe se nuk e ka ditur arsyen e këtij aktiviteti.
