TIRANË

Prokurori Ened Nakuçi drejt kalimit të vettingut. Në Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit është zhvilluar sot seanca dëgjimore për prokurorin e Krimeve të Rënda Ened Nakuçi i cili kandidon për SPAK, Struktura e Posaçme anti-korrupsion. Sipas KPK, hetimi ka përfunduar në të tre kriteret e rivlerësimit, pasuria, pastërtia morale dhe aftësia profesionale.

Nga raporti i ILDKPKI, rezulton se Nakuçi ka bërë deklarim të saktë, nuk ka deklarim të rreme, nuk ka fshehje pasurie. Mësohet se prokurori i Krimeve të Rënda ka një apartament 136 m2 në Tiranë. Në 3 shtator 2003 ka lidhur kontratë porosie për të. Mënyra e pagesës, 19 mijë USD në 9 mars, 20 mijë USD me mbarimin e karabinasë dhe 23 mijë USD në 2006 me marrjen e çelësave. Gjithë pagesa është likuiduar.

Në vitin 2003 subjekti nuk ka deklaruar shumën e plotë të pasurisë por vetëm shumën e paguar atë vit. Burimi, të ardhura nga pagat dhe borxh nga e ëma, motra dhe xhaxhai.
Pagesat në vitet 2005 dhe 2005 nga pagat e tij dhe bashkëshortes dhe borxh nga të afërmit. Sipas KPK, nuk ka dokumentim për borxhet nga familjarët.

Po kështu Nakuçi rezulton bashkëpronar në apartamentin 73 m2 përfituar me një kontratë në vitin 2010. Burim është shitja e apartamentit 92 m2 në të cilin ka jetuar me prindërit, me të ardhura nga pagat si edhe një borxh.

Rezultoi se apartamenti është blerë 10 mln lekë. Shuma e marrë borxh para noterit është 17 mijë euro tek daja i bashkëshortes, borxh i kthyer pas marrjes së një kredie.
Komisioni konstaton mospërputhje të deklarimeve të subjektit për këtë pasuri, nuk dokumentohet burimi i një vlere prej 5600 euro.
Automjet “Ford kuga” 23 mijë euro. Burim, shitja e një mjeti të mëparshëm 8900 euro, shtesë nga pagat dhe kredi 10 mijë euro.

– llogari bankare 1300 USD
– llogari e bashkëshortes 2979 euro
– llogari kursimi të djalit në 1 mln lekë
– llogari kursimi e vajzës 8 mijë euro
– gjendje cash 1.2 milionë lekë
– bashkëshortja, pronare 25% pjesë takuese në një apartament në Tiranë

Për figurën
DSIK konstaton përshtatshmëri të Nakuçit për ushtrimin e detyrës.
Për aftësitë profesionale
Rezultatet e pesë dosjeve të përzgjedhura me short:
Në një prej tyre, në vitin 2014 Nakuçi ka vendosur mosfillim procedimi pas 4 vjet hetimesh.
Nuk rezulton qe Nakuçi të ketë masa disiplinore për punën. Në tre vjet ka marrë vlerësim “Shumë mirë” nga PP.

Rezulton se në vitin 2016 ka një denoncim nga një qytetare se mjeti i saj ishte goditur nga mjeti i Nakucit, i cili është larguar nga vendi i aksidentit. Nakuci është kthyer në vendngjarje dhe ka lajmëruar policinë. Në nëntor 2016 është vendosur mosfillim procedimi penal. Sipas KPK, sjellja e subjektit nuk ka qenë jo në përputhje.
Në lidhje me dosjen “Shullazi” rezulton se subjekti ka ndjekur çështjen, por nuk ka marrë pjesë bë pretencë. Subjekti ka braktisur detyrën duke u larguar jashtë vendit, pa ia kaluar dosjen kolegëve të tij. Subjekti e ka argumentuar largimin me arsye shëndetësore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb