Kreu i degës së Partisë Demokratike në Krujë, Aulon Kalaja, ka reaguar ashpër ndaj dhunës së ushtruar ndaj protestuesve, duke ironizuar pretendimet për ndërhyrje të agjenturave të huaja dhe duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si po paraqitet situata e krijuar në vend.

I ftuar në emisionin “Prime News24”, Kalaja foli fillimisht për gjendjen shëndetësore të djalit, për të cilin tha se fatmirësisht është mirë, falë ndihmës së qytetarëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Ai falënderoi të gjithë ata që janë gjendur pranë familjes, përfshirë edhe stafin e News24, si dhe personalitete të tjera që kanë kontribuar për ta ndihmuar, por emrat e të cilëve nuk ishte i autorizuar t’i bënte publikë.

Më pas, Kalaja komentoi situatën e protestave, duke përdorur ironi për të kundërshtuar narrativat që, sipas tij, largohen nga realiteti dhe shmangin përballjen me atë që po ndodh në terren.

“Por kam vetëm një koment të shkurtër për atë që po ndodh me protestën. Nuk është çudi, për shembull, Nisida, që ne nesër të dëgjojmë se protesta nuk është e vërtetë, por është ndërtuar me inteligjencë artificiale. Nuk është çudi që të dëgjojmë po ashtu se policët nuk janë policë shqiptarë, nuk janë njerëz. Ata janë alienë të zbritur nga planeti Mars, të cilët i kanë sjellë agjenturat e huaja”, u shpreh ai.

Duke vijuar me të njëjtën gjuhë ironike, kreu i PD-së në Krujë komentoi përdorimin e plumbave të gomës, gazit lotsjellës dhe ujit ndaj protestuesve.

“Plumbat e gomës nuk janë plumba të vërtetë. Ata janë një batalion mushkonjash të ardhura nga Irani, që pickojnë protestuesit dhe u hapin plagë. Edhe gazi lotsjellës nuk është i vërtetë. Ai është një iluzion optik, që përfaqëson purot kubaneze të shërbimeve kubane që kanë ardhur në Shqipëri. Edhe uji është për freski, për t’ua hedhur protestuesve”, deklaroi Kalaja.

Sipas tij, kjo mënyrë ironike e të shprehurit synon të nxjerrë në pah atë që ai e konsideron shkëputje nga realiteti të atyre që komentojnë situatën e protestave.

“Pra, këta kanë humbur lidhjen me realitetin. Kjo është ideja ime. Të më ndjesh për figuracionet që përdora, por kjo është e vërteta”, tha ai.

Në përfundim, Kalaja u ndal te dhuna ndaj të rinjve, duke shprehur tronditjen e tij për atë që ka parë dhe duke ftuar qytetarët të shkojnë në Spitalin Ushtarak për të parë nga afër pasojat.

“Njerëz që rrahin kalamaj, ju ftoj të shkoni te Spitali Ushtarak. Jam traumatizuar”, përfundoi Kalaja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb