I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Adriatik Lapaj ka shprehur kritika të forta ndaj mënyrës se si po organizohen protestat nga Partia Demokratike, duke theksuar se opozita duhet të jetë më gjithëpërfshirëse dhe e orientuar drejt qytetarëve.

Lapaj u shpreh se opozita nuk duhet të kufizohet vetëm te partitë politike, por duhet të përfshijë një spektër më të gjerë qytetarësh dhe aktorësh. Sipas tij, protestat nuk duhet të jenë “të politikës së kryetarëve”, por lëvizje të mirëfillta qytetare kundër qeverisë.

Ai u shpreh i habitur që, pavarësisht deklaratave të vazhdueshme të PD për përballje me qeverinë, nuk janë ndërmarrë hapa konkretë për protesta të forta, sidomos përpara Kryeministrisë.

“Jam i habitur se si PD është shprehur për javë e javë të tëra, që do të luftojë këtë qeveri, por s’e ka bërë. Parti të tjera ku nuk kanë bërë protestë, para Kryesisë, te Kuvendi, anës tij, por jo te Kryeministria. A kemi një hall të përbashkët?! Hajdeni. Ka një kohë për partinë dhe një kohë për Shqipërinë”, tha ai.

Ai theksoi se ka propozuar që drejtuesit politikë të tërhiqen një hap pas, për t’i lënë hapësirë një organizimi qytetar më të gjerë, duke shtuar se është i gatshëm ta bëjë vetë këtë hap.

Lapaj nënvizoi se ndryshimi nuk vjen nga deklaratat apo fjalimet, por nga presioni i vazhdueshëm qytetar, duke shtuar se lëvizja që ai përfaqëson e sheh veten si pjesë të zgjidhjes për situatën politike në vend.

“Para zgjedhjeve, ne i kemi shtrirë dorën subjekte të tjera, por me kushte. Nëse di ndonjë një mënyrë që shoqëria të organizohet pa i organizuar dikush, ta bëjnë. E kam thënë gjithmonë; hajdeni, bëjmë dy hapa pas. Kryetarët të rrinë pas. Unë i pari dhe pastaj të ngrihet një komunitet qytetar. A duhet të ndryshojmë kodin zgjedhor? Nëse do ishte kod tjetër, Rama do të kishte 74 mandate, por do të ishte më i dobët, se sa është sot se ka 83 mandate. S’ka protagonizëm se s’do të thoja do të tërhiqem unë dy hapa pas. Po pse këta po ika unë nga sheshi do bëjnë namin? Po këtu do jemi! Që në 2013 aty shkohet dhe iket në mënyrë të vazhdueshme. Rama nuk ikën duke bërë 2 orë fjalime apo deklarata e konferenca për mediat. Greva e urisë, nuk mendoj se njerëzit duhet të imponohen me grave urie. S’kanë pse vdesin njerëz. Nuk mendoj se ka nevojë për grevë, që të protestosh dhe të mos hash bukë”, u shpreh ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb