Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, komentoi kaosin e krijuar sot në Kuvend dhe konfrontimin e deputetëve të opozitës me punonjësit e Gardës.

Idrizi u shpreh se Parlamenti dhe parlamentarizmi nuk funksionon më prej kohësh, ndërsa shtoi se sipas tij, sot duhet të ishte diskutuar në lidhje me projektbuxhetin e vitit 2024.

Sakaq u ndal te miratimi i buxhetit te vitit 2024, ku tha se “Të dyja palët mbarojnë punën e tyre. Pala e opozitës bën qëndresën që duket e fortë, mazhoranca për 4 minuta ngriti kartonat dhe miratoi buxhetin”.

Kujtojmë se gjatë seancës, e cila zgjati pothuajse 17 minuta, u hodhën tymuese dhe iu vu flaka fasoletave nga deputeti Flamur Noka. Gjithashtu, ky i fundit tentoi t’i vendoste flakën karrigeve të vendosura grumbull në mes të sallës, por u ndalua nga Garda. Pasi hodhi tymuese, Noka u përjashtua nga Kuvendi, por refuzoi të dilte deri në momentin e mbylljes së seancës nga kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ndërsa salla u “pushtua” nga tymi shumëngjyrëshe.

“Parlamenti dhe parlamentarizmi nuk funksionon më prej kohësh. Ligjet aty nuk bëhen vetëm për të majtët apo të djathtët, por për qytetarët. Opozita ka të drejtë në kërkesën e tyre për ngritjen e komisioneve hetimore. Parlamenti përveç bërjes së ligjeve duhet të ushtrojë kontroll ndaj pushteteve. Komisionet hetimore kur ngrihen, ngrihen nga të dyja krahët se supozohet të prevalojë interesi publik. Pra nuk është e drejtë vetëm e opozitës, por e qytetarëve. Sigurisht që pamje të tilla nuk janë të këndshme, sot ne duhet të ishim në një diskutim shumë serioz për buxhetin e shtetit. Buxheti i shtetit është ligji më i rëndësishëm që miratohet në Kuvend. Këtu ka shumë për të diskutuar. Do të ishte një rast i mirë edhe për opozitën në mënyrë që të shprehnin mendimet e tyre. Sipas opozitës ky është buxheti më i varfër, më i keq. Ky buxhet ka prodhuar një rritje ekonomike në 3-4%, por me këto hapa do na duhen 200 vite për tu anëtarësuar në BE.

Ajo që duhet të shohim është manovra ekonomike. P.sh të marrim problemet e pensioneve. Ata janë në pamundësi për të pasur një jetë dinjitoze. Dihet shumë mirë që për një pension sot duhet të kontribuojnë 3 të punësuar. Ndërkohë Shqipëria këtë raport e ka 1 me 15. Ne po fusim më shumë para në ekonomi. Prej 33 vitesh, kemi bërë investime publike, në rrugë tunele dhe në këtë rast kemi rritur ofertën e parasë në treg.

Sot Shqipëria importon mallra dhe produkte ushqimore, me vlerë 1.5 miliardë euro. Ne duhet t’i kthehemi prodhimit.

Fatkeqësisht nuk ka një të vërtetë absolute. Shqipëria ka nevojë për një opozitë që ë jetë dhe alternative. Kërkesa për ngritjen e komisioneve hetimore, deputetëve iu buron e drejta nga Kushtetuta për të bërë transparencë. Ndaj them që parlamentarizmi në Shqipëri ka kohë që nuk funksionon.

Komisioni i reformës zgjedhore ka 2 vite që nuk funksionon. PDIU ka detektuar disa problematike, flitet për shi-blerje të votës dhe ndërhyrje të shtetit. Komisionet duhen ngritur, jo si e drejtë e opozitës, por e Parlamentit. Duhet të ngrihet komisioni si transparencë dhe jo vetëm në orlin e gjykatësit”, u shpreh Idrizi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb