Policia Kufitare në Morinë ka parandaluar një tentativë për trafikim të armëve zjarri në territorin shqiptar.

Gjatë kontrollit të një automjeti në hyrje të RSH-së, u zbulua një pistoletë dhe municion luftarak të fshehur brenda mjetit.

Në pranga ka rënë drejtuesi i mjetit, një 28-vjeçar nga Prizreni. Arma, municioni dhe automjeti u sekuestruan si prova materiale, ndërsa hetimet po vijojnë.

Njoftimi i policisë:

Morinë, Kukës

Policia Kufitare godet një rast të tentativës për të trafikuar armë zjarri, në Shqipëri.

Arrestohet në flagrancë drejtuesi i automjetit ku u gjet e fshehur arma e zjarrit pistoletë.

Sekuestrohen arma e zjarrit, municion luftarak dhe automjeti.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin A. S.

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 28 vjeç, banues në Prizren, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe municionit luftarak”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: