KORCE– Një 56-vjeçar nga Tirana është vënë në pranga nga Shërbimet e Policisë Kufitare të Kapshticës ditën e sotme, pasi i janë gjetur 32 kg kanabis. Lënda narkotike e ndarë në 31 pako, ishte fshehur në pjesën mes dy sediljeve të makinës së tij tip “Peugeot” me targa AA546NS.

Gjatë kontrollit në skaner në vijën e dytë, u konstatua edhe lënda narkotike, e mbështjellë me letër natriban.

“Më datë 06.02.2017, shtetasi Mustafa Molla, 56 vjeç, banues në Tiranë; është paraqitur në dalje të Republikës së Shqipërisë, me automjetin tip “Peugeot” me targa AA546NS.

Nisur nga dyshimet e shfaqura ky mjet u përzgjodh nga shërbimet e Policisë Kufitare, për verifikim në vijën e dytë. Gjatë kontrollit në skaner, u shfaqën dyshime se në pjesën e dyshemesë, mund të ishte fshehur lëndë e dyshuar narkotike.

Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit konkretisht në një vend të modifikuar (midis sediljeve) u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale: 31 pako të mbështjella me letër natriban me peshë 32 Kg lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva. Nga veprimet hetimore të kryera, si edhe marrja e deklarimeve rezulton se shtetasi i mësipërm kishte si destinacion Turqinë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Uniformat blu vunë në pranga 56-vjeçari, ndërsa materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën penale: “Trafikimi i narkotikëve, mbetur në tentativë”.

(el.sp/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb