Situata e rënduar e pandemisë globale nga përhapja e virusit Covid-19 që ka prekur edhe vendin tonë duket se ka ndikuar edhe pozitivisht në qarkun e Beratit pasi karantinimi ka ulur në masë rastet e dhunës në familje.

Lajmi bëhet i ditur nga vetë Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, Durim Hasa i cili konfirmon se në të gjithë qarkun e Beratit karantinimi ka ndalur konfliktet në familje.

“Njerëzit siç duket, duke ndenjur bashkë janë bëre më miqësorë dhe janë mirëkuptuar me njëri-tjetrin, prandaj ka shumë pak urdhra mbrojtjeje. Po ta krahasojmë me më përpara dhuna në familje dhe masat e sigurimit për të shmangur dhunën janë pakësuar. Kemi vetëm 2 urdhra mbrojtjeje dhe një masë sigurimi për dhunë në familje në një muaj e gjysmë”, ka thënë Hasa.

Kryetari i Gjykatës së Beratit është ndalur edhe në masat e marra nga ky institucion në parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19. Ai ka pohuar se pas vendimit të KLGJ-së, gjykata ka pezulluar shërbimin gjyqësor për pjesën më të madhe të gjykimeve dhe aktualisht po kryen vetëm gjykimet e rëndësishme dhe ato të ngutshme, siç janë: masat e arrestit dhe çështjet familjare që kanë të bëjnë me fëmijët e mitur dhe urdhrat e mbrojtjes. “Gjykata, – tha Hasa – ka marrë një sërë masash për t’u mbrojtur nga Covid-19,duke krijuar distancë në sallë mes gjyqtarit, prokurorit, të pandehurit dhe avokatit, ndërkohë që nuk lejohet futja në sallë e asnjë familjari”.

Duke e vlerësuar si një situatë tejet të vështirë periudhën në të cilën ndodhemi, Hasa e ka konsideruar vazhdimësinë e punës në këtë institucion me “dyndje” e mbingarkesë çështjesh për gjykim, kjo edhe për shkak të numrit të kufizuar të gjyqtarëve, pasi në Gjykatën e Beratit kryejnë funksionin 5 gjyqtarë nga 10 që duhet të kishte.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb