Në një kohë kur aeroportet europiane po përballen me radhë të gjata dhe vonesa për shkak të zbatimit të sistemit të ri të hyrje-daljeve (EES), por edhe infrastrukturës së pamjaftueshme dhe kontrolleve të shtuara, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po ndjek një model krejt të kundërt, falë investimit dhe vizionit të Kastrati Group.

Në Tiranë, procesi i identifikimit të udhëtarëve është automatizuar në nivele të larta.

Çdo qytetar që hyn në Shqipëri mjafton të vendosë pasaportën në sistemet automatike dhe verifikimi përfundon brenda pak sekondash, pa krijuar radhë apo vonesa.

E njëjta procedurë aplikohet edhe në dalje për qytetarët e Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, ndërsa numri i lartë i sporteleve dhe kontrollorëve bën që fluksi të menaxhohet pa bllokime.

Ky model është vlerësuar edhe ndërkombëtarisht. Gazetari britanik Simon Calder, në një intervistë për Richard Quest në CNN, e cilësoi eksperiencën në Tiranë si një nga më efikaset në rajon.

“Vendimi është marrë dhe Mbretëria e Bashkuar ishte pjesë e procesit të vendimmarrjes që më shumë se një dekadë më parë. Ata thjesht duan të kontrollojnë hyrjet. Pra, në termat evropianë, kjo do të thotë që duhet të jemi absolutisht të sigurt që ky është Richard Quest që po kalon në portat tona. Duhet të verifikojmë përmes biometrisë së fytyrës, pasaportës dhe shenjave të gishtërinjve në sistem e në këtë mënyrë të kenë atë që e quajnë skemën më të sigurt të kufijve dixhitalë në botë”.

Megjithatë, ndërsa ky model po sjell procedura më të gjata dhe shpesh radhë në shumë aeroporte europiane, përvoja e tij në Shqipëri ishte në kontrast të fortë me këtë realitet. Duke folur për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ai shtoi:

“Ndërkohë, pjesë të tjera të botës nuk janë kaq strikte. Për shembull, sapo u ktheva nga Tirana, një aeroport i mrekullueshëm, ku më mori vetëm 5 sekonda për të kaluar, sepse ka tabela të mëdha që thonë: ‘Je europian? Je britanik? Je amerikan? Kaloni këtu, vendosni pasaportën, ne do ta verifikojmë dhe do t’ju lejojmë të kaloni.’

Gjatë intervistës, Simon Calder dhe Richard Quest sollën edhe një kujtim të veçantë:

“A nuk kemi qenë unë dhe ti në Tiranë?” – u shpreh Richard
“Po, ishim në mars 1989, ti 3 dhe unë 7 vjeç në atë kohë.”

Ai vijoi me humor historinë: Për shkak të ndeshjes së Shqipërisë kundër Anglisë në futboll, shqiptarët po lejonin hyrjen e të huajve në vend, një nga ditët e fundit të regjimit të asaj kohe. “Po, ne u futëm si anëtarë të klubit mbështetës të futbollit Crawley Town”, shtoi Simon duke qeshur.

Investimet e Kastrati Group gjatë viteve të fundit në Tirana International Airport (TIA) kanë modernizuar infrastrukturën dhe kanë rritur kapacitetet për përpunimin e pasagjerëve.

Paralelisht, rritja e numrit të linjave ajrore, veçanërisht kompanive low-cost si Ryanair dhe Wizz Air, e ka kthyer Tiranën në një pikë kyçe për udhëtarët në rajon.

Me çmime konkurruese dhe destinacione të reja që shtohen vazhdimisht, aeroporti po tërheq jo vetëm pasagjerë shqiptarë, por edhe udhëtarë nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Në kontrast me problemet që po shfaqen në shumë aeroporte të BE-së, rasti i Tiranës po shihet si një shembull se si investimi në teknologji dhe organizim mund të përkthehet në shërbim më të shpejtë dhe efikas për udhëtarët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb