Një situatë alarmante mjedisore është regjistruar në brigjet e Adriatikut, ku plazhet pranë grykëderdhjes së lumit Shkumbin janë tejmbushur me mbetje plastike, metalike dhe materiale bimore. Fenomeni ka prekur veçanërisht plazhin e Divjakës dhe zonën e Vilë-Boshtovës në bashkinë e Rrogozhinës. Sasia e mbetjeve, sipas ekspertëve, është rezultat i viteve të akumulimit përgjatë rrjedhës së përroit dhe lumit Shkumbin, që nga Përrenjasi, Librazhdi, Elbasani, Cërriku, Peqini dhe deri në Rrogozhinë. Peshkatarët që frekuentojnë prej vitesh zonën e grykëderdhjes shprehen se një ndotje kaq masive nuk është parë prej dekadash.
“Kaq shumë mbetje të ardhura nga lumi nuk kemi parë kurrë. Situata është jashtë kontrollit,” shprehet një peshkatar nga Vilë-Boshtova. Një pamje po aq shqetësuese paraqitet edhe në Divjakë, ku nga grykëderdhja e Shkumbinit deri pranë grykëderdhjes së Semanit janë depozituar shtresa deri në 1.5 metra leshterikësh të përzier me mbetje drusore dhe plastike. Vizitorët që vizitojnë për herë të parë Parkun Kombëtar Divjakë–Karavasta shprehen të mahnitur nga natyra, por të zhgënjyer nga ndotja masive.
“Natyra është e mrekullueshme, por mbetjet kudo japin një shije të hidhur,” thotë Xhorxhi Lako, vizitor nga Amerika. Shoqatat mjedisore paralajmërojnë se situata përbën një katastrofë të vërtetë ekologjike, e cila nuk mund të zgjidhet vetëm me vullnetarizëm. Bashkitë Divjakë dhe Rrogozhinë, sipas tyre, nuk kanë fondet e nevojshme për të menaxhuar volumin e madh të mbeturinave.
Shkëlqim Bylykbashi, kreu i shoqatës “Horizont EU”, dhe Altin Hila, drejtues i shoqatës “Monark”, theksojnë se ndërhyrja duhet të nisë në burimin e ndotjes, përgjatë gjithë rrjedhës së Shkumbinit, për të parandaluar përsëritjen e situatave të tilla që tashmë kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar. Autoritetet lokale dhe organizatat mjedisore kërkojnë një plan të koordinuar emergjent për të menaxhuar krizën dhe për të mbrojtur ekosistemin e rrezikuar të Adriatikut.
