Një situatë alarmante mjedisore është shënuar pasditen e sotme në periferi të qytetin e Elbasanit, ku rreth orës 17:10 ka shpërthyer një vatër zjarri në fushën e grumbullimit të mbetjeve, në zonën e njohur si Landfilli pranë Inceneratorit të Elbasanit.

Zjarri, i cili po përhapet me shpejtësi në sipërfaqet me mbetje të ndryshme urbane dhe industriale, është shndërruar në një katastrofë mjedisore të mirëfilltë. Flakët e mëdha shoqërohen me shtëllunga të dendura tymi të zi që janë ngritur në ajër dhe po përhapen në drejtim të zonave të banuara të qytetit duke krijuar një re të madhe  dhe ndotjeje mbi Elbasan.

Bashkë me tymin, qytetarët po përballen me një aromë të padurueshme që ka përfshirë një pjesë të mirë të qytetit dhe zonave përreth. Era dhe temperaturat e larta po e përkeqësojnë situatën duke ndihmuar përhapjen e tymit dhe rrezikun për shëndetin publik.

Forcat zjarrfikëse janë nisur për në vendngjarje dhe po përpiqen të përballojnë flakët, por përmasat e zjarrit dhe lloji i materialeve që po digjen të cilat përfshijnë mbetje plastike, organike dhe të tjera të rrezikshme po e bëjnë ndërhyrjen tepër të vështirë.

Deri më tani nuk ka një informacion zyrtar mbi shkakun e zjarrit, por institucionet përkatëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një aksident, pakujdesi apo zjarrvënie të qëllimshme.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb