Skuadra e Prestige nuk ka mundur t’ia dalë as në ndeshjen e luajtur në Peqin kundër Arnisës duke humbur 1-2. Një pjesë e parë e luftuar me një superioritet të kryeqytetasve, por që u mbyll pa gola. Protagonist është Sandroel Limanin me disa shpërthime të tij nga krahu i djathtë, që përfundojnë me gjuajtje drejt portës, por pa shkuar në kuadratin e saj, shpesh herë mbi traversë, pikërisht në minutat 26 dhe 29.

Më pas Arnisa, e cila luan si pritëse në fushë asnjanëse pasi është dënuar nga Disiplina, ka dy mundësi me Mezinin, por portieri Hasanj bën detyrën duke kontrolluar gjithçka. Aksion i bukur dhe Prestige shumë pranë golit në minutën e 40-të. Kombinimi i bukur mes Aldo Branicës dhe Mario Ademit, por që nuk finalizohet, pasi pranë vijës fatale ka larguar portieri Gjokola.

Skuadra e Arnisës shumë pak herë vizitoi portën e Prestige dhe vetëm në minutën e 45-të rrezikoi seriozisht, por topi i goditur me kokë nga Mezini përfundoi në duart e portierit Hasanaj. Në fraksionin e dytë, Arnisa zhbllokon shifrat që në minutën e 48-të pas një aksioni të bukur të Muratit dhe një asist te Xhoel, që me një gjuajtje tokazi shënon. Vendësit nuk ndalen dhe shënojnë edhe golin e dytë me anë të Mezinit me kokë, pas krosimit nga këndi në minutën e 55- të.

Arnisës i dëmtohet portieri dhe sulmuesi Mezini merr rolin e portierit, pasi skuadra erdhi në këtë takim pa një portieri rezervë. Në të 80-tën Prestige fiton një penallti, pas një prekje me dorë nga mbrojtësi Arnisës. E merr përsipër kapiteni i kryeqytetasve, Gilbert Hysko, i cili nuk fal teksa gjuan saktë kundër sulmuesit-portier Armando Mezinit, 2-1. Pesë minuta para fundit, Aldo Branica merr të dytin e verdhë dhe Prestige detyrohet të luajë me 10 lojtarë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb