Katër persona, përfshirë një gazetar të Al Jazeera-s, u vranë në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës , njoftuan shërbimet lokale shëndetësore dhe televizioni shtetëror i Katarit.
Sulmi që vrau gazetarin e Al Jazeera-s, Muhammad Wasah, kishte në shënjestër automjetin me të cilin po udhëtonte ai dhe një palestinez tjetër – i cili gjithashtu humbi jetën – në rrugën bregdetare në qytetin e Gazës.
Në shkurt të vitit 2024, në kulmin e luftës së Izraelit në Gaza, ushtria akuzoi Washah se ishte anëtar i krahut ushtarak të Hamasit dhe publikoi fotografi që e tregonin atë duke operuar sisteme armësh. Sipas ushtrisë izraelite, fotografitë u gjetën në një kompjuter të sekuestruar nga ushtarët gjatë një bastisjeje në Gaza.
Hamasi dhe Al Jazeera mohuan se Wasah kishte ndonjë lidhje me organizatën palestineze.
Ushtria izraelite nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Zyra e shtypit e Hamasit në Gaza dënoi sulmin dhe vdekjen e gazetarit.
Sipas kanalit të Katarit, Wasah u vra nga një sulm me dron.

Një tjetër sulm ajror izraelit vrau dy persona në Rripin qendror të Gazës, sipas burimeve mjekësore. Ushtria izraelite nuk ka komentuar mbi sulmin.
Tetorin e kaluar, Izraeli dhe Hamasi arritën një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftimeve në enklavën palestineze. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes.
Izraeli ka vrarë të paktën 700 persona që nga armëpushimi dhe thotë se katër ushtarë të tij u vranë nga militantët gjatë së njëjtës periudhë.
Izraeli ka vrarë gazetarë të tjerë të Al Jazeera-s në Gaza dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar. Në gusht të vitit 2025, Anas Al-Sharif u vra, së bashku me katër kolegë të tjerë, në një sulm izraelit. Duke cituar informacione dhe dokumente të pazbuluara, ushtria pretendoi se Sharif ishte kreu i një qelize të Hamasit, një pretendim që kanali e mohon.
Në maj të vitit 2022, ushtarët izraelitë qëlluan dhe vranë gazetaren palestinezo-amerikane Shirin Abu Akleh, ndërsa ajo po mbulonte një operacion ushtarak në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor. Ushtria më vonë tha se, pasi hetoi incidentin, arriti në përfundimin se Abu Akleh ka të ngjarë të jetë vrarë nga të shtëna aksidentale nga forcat e saj.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) ka dokumentuar vdekjen e 223 gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias në Gaza, Liban dhe Izrael. Nga këta, 210 ishin palestinezë të vrarë nga Izraeli në Gaza, 11 u vranë nga Izraeli në Liban dhe dy izraelitë u vranë nga Hamasi në tetor 2023, gjatë ofensivës që çoi në luftën e Gazës. Sipas CPJ, askush nuk është akuzuar ndonjëherë për vrasjet e gazetarëve nga ushtria, një zëdhënës i së cilës tha se forcat e armatosura synojnë vetëm luftëtarët dhe vendet ushtarake, jo civilët dhe gazetarët, dhe paralajmëroi se qëndrimi në zonat e luftës vë këdo në rrezik, pavarësisht përpjekjeve për të minimizuar rrezikun.
Ushtria izraelite ka pohuar gjithashtu herë pas here, pa paraqitur prova, se disa gazetarë u vranë për shkak të lidhjeve të tyre me Hamasin, një pretendim i mohuar nga mediat për të cilat ata punonin.
