Më 14 janar, eksperti i mirënjohur i kësaj fushe, Keir Giles, drejtor i Qendrës Studimore Ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar paralajmëroi në një intervistë për një të përditshme belge se “mbas pesë vitesh, Rusia e zgjuar do të sulmojë një vend në Europën e përgjumur” Giles është i sigurt në pohimin e tij, ashtu si dhe kolegë të tjerë në Europë, duke lënë hapur vetëm mometin e një sulmi të tillë eventual.

Po ashtu, këto ditë, Polonia, e cila këtë gjashtëmujor ka kryesinë e radhës së BE-së bëri thirje për të marrë masa për forcimin e aftësive mbrojtëse, që BE-ja të jetë e aftë të përballojë kërcënimet dhe rreziqet ushtarake që do t’i vijnë nga jashtë.

Këto dekarime të shtuara ndjeshëm kohët e fundit janë kambana të fuqishme alarmi për BE-në. Ca më tepër kur kjo e fundit është shprehur në mënyrë të përsëritur në favor të mbrojtjes së përbashkët europiane, madje dhe krijimin e një ushtrie të përbashkët këtu dhe 20 vite më parë.

Kjo domosdoshmëri bëhet më ulëritëse dhe më urgjente në kushtet e tanishme të agresionit rus ndaj Ukrainës dhe kërcënimeve të saj që në një të ardhme të godasë dhe vende anëtare të NATO-s. Ndaj, disa prej këtyre vendeve, si Sudia, vendet Balltike dhe Gjermania kanë dhënë alarmin për të marrë masat e duhura për t’u mbrojtur nga një sulm eventual, ca më tepër se siç kanë pohuar dhe drejtues të lartë ushtarakë të atyre vendeve, ato janë të papërgatitura ndaj një sulmi eventual ushtarak rus.

Nga ana tjetër, riardhja në krye të Shtëpisë së Bardhë e Donald Trump e thekson dhe më shumë këtë domosdoshmëri, për shkak të paparashikueshmërisë së tij lidhur me marrëdhëniet me Aleancën Euro-Atlantike. Rikujtojmë këtu kërkesën e tij të re më 10 Janar që vendet anëtare të NATO-s të japin jo 2, por 5 për qind të GDP-së së tyre! Kuotë tejet e lartë dhe me pasoja për aspektet e tjera jetike, ekonomike dhe sociale të vendeve anëtare të Aleancës, sidomos kur ka aq shumë probleme dhe kriza ekonomike dhe sociale të papërballueshme.

Mirëpo qëkurse ka lindur dhe është përsëritur kjo ide, shumë pak është bërë. Edhe kuota prej 2 për qind e GDP-së të Vendeve Anëtare të NATO-s ende nuk është realizuar nga të gjithë. Madje dhe aq sa deri tani është bërë mbas paralajmërimeve kërcënuese gjatë Presidencës së Parë Trump.

Vlen të nënvizojmë se qysh në krijimin e saj më 1958, BE-ja ia la në mirëbesim të plotë sigurinë dhe mbrojtjen e saj NATO-s të krijuar 9 vite më parë, meqenëse të dyja ishin të lidhura pazgjidhshmërisht për paqen, sigurinë, begatinë dhe demokracinë perendimore. Kështu ka vijuar kjo ”alkimi” gjeostrategjike deri në vitin 2017, kur Presidenti Trump e vuri në dyshim vijueshmërinë e kësaj Aleance.

Ndaj, tani NATO me vendet anëtare dhe BE-ja po përshpejtojnë planet dhe projektet për shtimin, fuqizimin dhe modernizimin sasior dhe cilësor të kapaciteve të tyre mbrojtëse dhe luftarake. Sfidat dhe kërkesat janë të shumta dhe tejet komplekse; veçse përballimi i tyre kërkon vullnet të përbashkët politik, angazhim të madh dhe fonde të jashtëzakonshme.

Për të krijuar një ide lidhur me seriozitetin dhe vshtirësitë e përballimit të këtyre sfidave madhore, duke iu referuar raportit më të fundit të Agjencisë Europiane të Mbrojtjes ( AEM) më poshtë po ndalemi në mënyrë të përmbledhur në 4 – 5 shtyllat themelore të mbrojtjes së përbashkët europiane.

Në radhë të parë do nënvizuar se krahas shprehjes së vullnetit dhe angazhimit politik, BE-ja gjatë vitit 2024 shpenzoi shifrën rekord për mbrojtjen prej 326 miliard Euro; gjithsesi ajo është shumë larg nga 882 miliard të SHBA-ve por më e madhe se Kina me 285 miliard Euro në vitin 2023.

Më tej, AEM ka përcaktuar 4 shtyllat ose komponentët kryesorë ku do të përqëndrohen projektet dhe programet e saj gjatë vitit 2025 dhe në vitet e ardhëshme për realizimin e autonomisë së saj gjeostrategjike nga SHBA-të.

Ky “kuartet” gjeostrategjik fillon me forcimin e Mbrojtjes së Integruar Ajrore dhe Anti – Raketore (IAMD) si “guri i themelit” i mbrojtjes së përbashkët Europiane. Raporti në fjalë nënvizon ndër të tjera se “L’IAMD ka mundësi dhe kapacitete të mëdha për mbrojtjen e infrastrukturës kritike europiane, popullsitë civile dhe forcat ushtarake kundër nje game gjithnjë e më komplekse të kërcënimeve ajrore”.

Lidhur me rreziqet balistike, raketore dhe nga dronët, në korrik 2024 AEM në dokumentin e saj strategjik ka përcaktuar përparësitë në fushën e mbrojtjes ajrore me rreze te shkurtër veprimi.

Shtylla tjetër e kësaj mbrojtje është lufta elektronike. Rëndësinë e madhe të këtij komponenti e tregon më qartë konflikti në Ukrainë lidhur me rrezikun që ato përfaqësojnë për infrastrukturën civile dhe ushtarake ndaj goditjeve të kombinuara ajrore. Ky program në raport konsiderohet si një ndër 4 përparësitë dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Shteteve Anëtare për të arritur një « nivel të mjaftueshëm pjekurie dhe për “një angazhim të qartë drejt një bashkëpunimi më të thellë ndërmjet vendeve anëtare”.

Tani kërkohet vullneti politik dhe hapa konkrete për zgjidhjen e aspekteve financiare: këtu shtrohet çështja nëse do të përzgjidhet versioni që të kontribuojë secili vend veç e veç apo do të shkohet drejt një buxheti të përbashkët? Problemi me këtë të fundit është me Gjermaninë, Holandën dhe vende të tjera që e kundërshtojnë atë.

Në fakt, Europa është e vonuar në këtë fushë delikate përballë konkurentëve të saj. Në një seminar të organizuar në muajin Korrik 2024 u bë identifikimi i tre boshteve përkatëse përparësore: sistemet e interferencave, sistemet e luftës elektronike portale dhe platformat e spiunazhit elektromagnetik.

Ky mobilizim për luftën elektronike lidhet me sfidën që paraqet urgjenca e mbrojtjes së sovranitetit. “Lufta elektronike luan një rol thelbësor në konfliktet moderne; ajo nxjerr jashtë loje komunikacionin, intercepton sinjalet e armikut, mbron forcat aleate dhe zbulon ndërhyrjet e shumta të valëve manjetike; për rrjedhojë, Europa siguron dominimin e saj informatik dhe mbrojtjen e sigurisë së saj kombëtare.

Boshti i tretë i madh i mbrojtjes europiane përbëhet nga armët dhe municionet e telekomanduara dhe dronet kamikaze, të cilat e kanë treguar efikasitetin e tyre në Ukrainë. “Në shtator 2024, Shtetet Anëtare të BE-së shqyrtuan mundësitë e blerjes/prodhimit dhe zhvillimit të tyre thuhet në raport. Theksi këtu vihet në një përqasje pragmatike të kombinuar me blerje te shpejta ( nga jashtë BE-së) dhe shtimin e kapaciteteve të veta europiane.

Sipas shumë burimeve të besueshme, këto armë dhe municione ofrojnë një “fleksibilitet të saktë operacional”, duke kombinuar “grumbullimin e informacionit dhe goditjet me precizion”. Për këtë qëllim është përpunuar një dokument konceptual i cili harmonizon nevojat e Shteteve Anëtare dhe lehtëson blerjet e përbashkëta.

Komponenti i katërt, më shumë me vështrimin drejt të ardhmes lidhet me brezin e ardhshëm të luftanijeve sipërfaqësore. I etiketuar si “Anije Luftarake Europiane” ( ECV), ky program emblematik quhet « Horizont 2040”. Siç përmendet dhe në raportin përkatës, “në vitin 2024, Shtetet Anëtare të BE-së kanë marrë një platforme fleksibël modulare të aftë për t’iu përshtatur nevojave kombëtare dhe për t’u integruar në sistemet e përparuara, sipas kohës dhe momentit”.

Ky projekt detar që është pjesë e një vizioni afat-gjatë për drejtimin e Europës në të ardhmen do të “mirëmbajë stoqe të mjaftueshme, do të ruajë linjat e prodhimit operacional dhe do të sigurojë zinxhirët e furnizimit”. Ndaj ky program përbën një megasfidë të vërtetë për Francën me Gjermaninë, të cilat japin 80 % të fondeve në fushën e kërkimit dhe teknologjisë ushtarake europiane.

Përballë kësaj gjendjeje, Fondi Europian i Mbrojtjes (FED) parashikon një rritje thelbësore të mbështetjes së saj, me shpenzime bashkëpunimi dhe kërkimi përpara se të marrë 600 milion Euro në vitin 2026. Kjo është një shumë e madhe por e domosdoshme për t’i kthyer këto katër shtylla në marrëdhënie konkrete dhe për të forcuar autonominë strategjike europîane.

Këtu duhet përmendur dhe pjesa tjetër thelbësore e këtij katërkëndëshi të mbrojtjes së përbashkët europiane : EDIP ose Programi Europian i Industrisë dhe Mbrojtjes. Pikërisht ky program për momentin është bllokuar nga Gjermania deri në përfundimin e fushatës së zgjedhjeve të parakohshme më 23 Shkurt dhe krijimit të koalicionit të ri qeveritar deri në pranverën e këtij viti, kur mund të bëhet dhe çbllokimi i tij.

Franca dhe aleatët duan të bëhen pavarura nga SHBA-të në këtë fushë. Për këtë qëllim ajo dhe vendet e tjera anëtare synojnë të sigurojnë të paktën 65 për qind të fondeve të EDIP ndërsa pjesa tjetër nga firmat dhe kompanitë europiane.

Ndërkohë, vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s kanë sfida jo më të vogla dhe në fushat e tjera jetike të siguerisë dhe mbrojtjes; kjo veçnërisht lidhur me nevojat dhe kërkesat e shtuara për mbrojtjen energjitike, kinerbetike, klimatike, fatkeqësive natyrore, etj.

Ja pse për këto dhe të tjera arsye, krijimi dhe fuqizimi i mbrojtjes së përbashkët europiane dhe aspekteve të tjera të përmendura me lart është “më i lehtë në të thënë se në të bënë”. Gjithsesi, çdo lëvizje dhe përparim në këtë fushë me ndjeshmëri të jashtëzakonshme politike, ushtarake dhe publike është e dobishme dhe e mirëpritur nga të gjitha vendet e BE/NATO, përfshi dhe vendin tonë, larg euforisë, propagandës boshe por me ”këmbë në tokë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: