KESH e shiste energjinë më lirë ditën dhe e blinte më shtrenjtë natën, si e pasuroi kompaninë që përfitoi 5.1 mln euro.

Emisioni “Në shënjestër” i gazetares Klodiana Lala në News24 ka sjellë sot fakte të reja për atë që ndodhi me energjinë elektrike në 2021 dhe 2022.

Hijet e skandalit që ndjekin pas aferën se si qeveria shqiptare shpenzoi me një dorë 659 milionë euro për të blerë energji në bursë, për shkak të abuzimit që u bëri rezervave hidrike në Kaskadën e Drinit, duket se janë edhe më të frikshme se sa vetë legjenda e kuçedrës që piu ujin e një fshati.

Kjo, po të shikosh edhe më tej mënyrën se si KESH, duke ditur pasojat që mund të vinin në vazhdim, e shiste energjinë më lirë ditën dhe e blinte më shtrenjtë natën.

Kështu duket se ka ndodhur edhe me kompaninë NOA Energy, me të cilën KESH kishte një marrëveshje për shkëmbim energjie.

Kompania, ndryshe nga KESH, në periudhën më të vështirë për Kompaninë Elektroenergjetike Shqiptare, duket se ka dalë me fitim.

Madje, siç rezulton edhe në dokumente, duke ‘ngrohur edhe duart’ në këtë histori.

Pavarësisht se kriza i kishte trokitur në portat e kaskadës, KESH vazhdonte për kortezi, në muajin tetor 2021, të zbatonte një kontratë shkëmbimi energjie me kompaninë NOA Energy.

Nga ku rezulton se KESH i jepte energji NOA-s ditën kur çmimi ishte më i lartë, dhe ia merrte natën kur çmimi ishte më i ulët. Një rast unikal ky i denjë vetëm për leksionet e ekspertëve të KESH, të cilët nëpërmjet këtij operacioni kanë mundur të pasurojnë kompaninë NOA dhe të varfërojnë KESH-in.

Pikërisht në këtë moment, kur duhet të gjente zgjidhje se si të ulte kostot e dëmit që kish shkaktuar, KESH kapet duke pasuruar një kompani private.

Kompania, në këtë rast NOA Energy, e cila rezulton se në muajin tetor të vitit 2021, ka përfituar nga kjo mirësi e KESH, 5.1 milionë euro.

“KESH përveç operacioneve të tjera, si ato të shitjeve nga prurjet e larta, optimizimit etj., në periudhën qershor-tetor 2021, i ka dhënë 149 442 MWh energji elektrike shoqërisë tregtare Noa Energy, në formën e shkëmbimit. Periudhë kjo që korrespondon me rënien e nivelit të liqenit të Fierzës.

Sipas marrëveshjes NOA Energy rezulton se deri në fund të muajt shtator 2022 është debitor ndaj KESH për sasinë 17 515 MWh”, thotë Auditi i KLSH.

Por sikur të mos mjaftonte kjo zemërgjerësi e KESH, NOA ka menduar ta shtojë edhe më tej oreksin e saj.

Pasi nuk u mjaftua me fitimet goxha të majme që përfitoi nga ky operacion, rezulton se i mori KESH-it në vazhdim, edhe një sasi prej 20 mijë megavat për orë, sasi energjie të cilën rezulton se nuk ia ktheu kurrë.

Por nga kjo sasi energjie, mësohet se i ktheu KESH-it në muajin prill të vitit 2022, vetëm një pakicë prej 2400 megavat për orë dhe më pas 30 mega të tjera.

Ndërkohë që sipas KLSH, NOA del që i ka borxh KESH-it, 9.3 milionë euro.

“Si pasojë e marrëveshjes me kompaninë ‘Noa Energy’, KESH ka një fitim të munguar prej 9 367 730 euro në portofolin e vet financiar, pasi nëse sasia totale e shkëmbyer do të ishte shitur/blerë për optimizim në bazë të çmimeve referente do të kishte një fitim të ngjashëm.

Ndaj për këtë arsye këshillohet që problematikat me kompaninë ‘NOA Energy’ të zgjidhen sa më parë, pasi sasia e mbartur dhe e pakthyer nga kjo kompani për llogari të KESH është e konsiderueshme”, shprehet auditi i KLSH. 

Për ekspertin e energjetikës, Azmer Duleviç, ajo që mbetet më flagrante është se KESH, ka shitur energji me çmim qesharak në ditët e veta më të mira dhe ka blerë me çmim më të shtrenjtë, në ditët kur bursa kishte çmimin më të lartë të energjisë në treg.

“Duhet të themi që në momentin që Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka blerë energjinë mua nga një navigim që kam bërë mua më rezulton që e ka blerë pikërisht në ato ditë dhe në ato fasha orare kur çmimi i energjisë në bursë ka qenë më i lartë. Në momentin që ne kemi pasur prodhim ose teprica energjie ne e kemi shitur energjinë e tepërt me një çmim qesharak. Me 25 euro dhe me 44 euro çmimin e megavatorit”, deklaron Duleviç.

Por kjo kontratë me ‘NOA Energy’, nuk ishte shkelja e vetme që KLSH gjeti në punën e KESH, në keqmenaxhimin e situatës në kaskadës së Drinit.

Një tjetër marrëveshje që rezulton me probleme të theksuara është edhe ajo me OSSHE (Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë).

Ku ndryshe nga marrëveshja e lidhur midis njëra-tjetrës, sasia që KESH i ka shitur OSSHE-së gjatë muajve maj-gusht 2021, është më e lartë se sa firma e hedhur në letër, duke zbritur kësisoj përtej minimumit të lejuar të rezervës hidrike në kaskadën e Drinit.

“Sipas rregullores së Menaxhimit të Plotave dhe kontratës mes KESH dhe FSHU, sasia e energjisë që Korporata Elektronergjetike ka shitur për OSHEE gjatë muajve maj-gusht 2021 është më e lartë se në marrëveshje duke zbritur dhe përtej minimumit të lejuar të rezervës hidrike në Kaskadë.

Për këtë arsye rezerva hidrike u ul me 3.2 herë nga muaji qershor deri në tetor të vitit 2021. Ndryshe nga 1.422 GWh (Gigavat për orë) në 444 GWh.

Kjo situatë solli një efekt të madh në buxhetin e shtetit dhe të KESH”, thuhet në auditin e KLSH.

Sipas ekspertëve ishte kjo arsyeja që qeveria kaloi në xhepin e KESH, 340 milionë euro.

Por pavarësisht kësaj bujarie, KESH e mbylli vitin financiar me një humbje në vlerën e 225 milionë eurove.

“Ajo çfarë është e çuditshme për vitin 2022 KESH-i edhe pse e mori këtë fondin sovran dhe garancinë financiare përsëri del me një bilanc negativ, rreth 225 milionë euro. Pra të gjitha këto nuk janë gjë tjetër veçse një keqmenaxhim ose le të themi një paaftësi e drejtuesve të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe patjetër duhet të dalin dhe të japin shpjegimet e tyre në këtë moment kur ne të gjithë kemi përballë raportin përfundimtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit”, thotë eksperti i energjetikës Azmer Duleviç.

Por sikur të mos mjaftonte abuzimi galopant me rezervat hidrike në Kaskadën e Drinit, kriza artificiale e krijuar nga paaftësia apo korrupsioni në KESH, solli edhe në një tjetër zgjidhje e dyshuar edhe kjo si korruptive nga qeveria Rama, atë të marrjes me qira nga qeveria të dy anijeve që do të prodhonin energji, të cilat u ankoruan në gjirin e Vlorës.

Anijet, sipas KLSH do të prodhonin energji me kosto më të lartë se sa çmimi që tregtohet sot në bursa, por ndërkohë do i kushtojnë buxhetit të shtetit në dy vitet e qëndrimit të tyre në det, 63 milionë euro, ose 87 mijë euro në ditë, pavarësisht nëse turbinat e tyre ndizen apo jo.

Teksa deri më tani, ndërsa po ofron viti nga marrja me qira e tyre, këto termocentrale nuk kanë prodhuar asnjë kilovat të vetëm energji. Kurse qiradhënësit e TEC-eve kanë futur paratë në xhep.

Ndërkohë që të gjithë këtë skemë më të fituarit duket se janë vetëm privatët, ndërsa kompanitë shtetërore të energjisë kanë shpenzuar plot 660 milion euro importe, duke thelluar krizën e tyre.

“Fare mirë TEC-i i Vlorës mund të ishte sot aktual në punë. Këto nuk janë termocentrale, këto janë gjeneratorë motorë që do të thotë efikasiteti dhe efiçenca e termocentralit është shumë herë më e lartë se e këtyre gjeneratorëve.

E dyta këta punojnë me naftë D2 e cila ligjërisht në Shqipëri nuk tregtohet që d.m.th duhet të ketë patjetër ca ndryshime ligjore që të bëhet e tregtueshme nafta D2”, deklaron Eduard Elezi, ekspert i Energjetikës.

“E para nga ana teknike si inxhinier ato nuk e kanë potencialin, ose nuk kanë rendimentin e duhur, më shumë harxhojnë karburant për prodhimin e një megavatori sesa ulin kosto.

Dhe çmimi i mazutit qe përdoret për prodhimin e një megavatori sic ju e thatë më herët shkon 0.8-0.9 dollarë dhe nëse bëjmë kalkulimin për të prodhuar një megavator duhen diku tek 250 litra mazut dhe del një kosto tek rreth 260 euro afërsisht për prodhimin e një megavatori”, thekson Azmer Duleviç.

Ndërkohë që ashtu si edhe ekspertët edhe KLSH sugjeron në raportin e saj të auditimit, që qeveria të marrë më shumë parasysh vënien në punë të TEC-it të Vlorës, sesa përdorimin e këtyre anijeve.

Krahas kostove të larta në buxhetin e shtetit, janë edhe një faktor ndotës për ambientin.

“Energjia që do të prodhohet nga anijet ka një kosto prej 269 euro/MWh, ndërsa çmimi që sot tregtohet në bursa është 160 euro/MWh, pra nuk ia vlen t’i përdorësh.

Për këtë arsye me qëllim marrjen e masave të për përballimin e krizës së energjisë elektrike, qeveria duhet të duhet të gjejë zgjidhje të qëndrueshme dhe eficente për vënien në funksion të TEC-it të Vlorës, si dhe të fillojë njëkohësisht operimi i bursës shqiptare të energjisë”, shprehet më tej auditi i KLSH.

Por ndërsa qeveria Rama është përpjekur për gjatë gjithë kohës të fshehë kolapsin energjetik që krijoi po vetë, në një aspekt tjetër ajo u përpoq t’ia hedhë fajin krizës globale dhe rritjes së çmimeve në bursa, si shkak edhe i luftës në Ukrainë.

Duke tentuar kështu që nëpërmjet ERE, Entit Rregullator të Energjisë, të ngrejë çmimin e energjisë për konsumatorët. Madje u kërkuar qytetarëve edhe të mësojnë se si të fikin dushet apo nëpërmjet leksioneve ministrore se si të kursejnë energji, duke hequr edhe karikuesit nga priza.

“Keni dëgjuar kohët e fundit për disa masa ekstreme, të cilat sigurisht nuk do i ndërmarrim, në Zvicër, nëse kondicionerin e vendos më shumë se 19 gradë për t’u ngrohur, është një thyerje e rëndë e ligjit dhe shkon në burg. E dini ju që kur e heqim telefonin nga karikimi, karikuesi që mbetet në prizë vazhdon dhe konsumon energji. Deri më sot nuk e kemi vrarë ndonjëherë mendjen se çfarë do të ndodhë me një karikues, po me 1 mln karikues në të njëjtën kohë çfarë mund të ndodhë”, tha zv.kryeministrja dhe Ministrja e Energjetikës Belinda Balluku.

Por ndërkohë që ministrja e Energjetikës, tregonte gjithë patos se si kursehet energjia në Zvicër, duke mos e ndezur shpesh kondicionerin, në fakt e vërteta duket të jetë tjetër.

Në raportin e auditimit të KLSH, thuhet se KESH nuk ka bërë investime të mjaftueshme për të gjetur alternativa lidhur mbi energjinë, ndërsa Shqipëria vazhdon të jetë ndoshta vendi i vetëm në Evropë, që vazhdon të mbetet me sytë nga qielli.

“Strategjitë e ndjekura nga sistemi për diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike, kanë rezultuar deri tani jo eficente, duke sjellë ekspozimin e përhershëm të sistemit elektroenergjetik kundrejt riskut meteorologjik.

Kjo si pasojë, ka sjellë rritjen e shpenzimeve për blerjen e energjisë elektrike nga importi me çmime të larta.

KESH përveç disa nismave fillestare në investime për burime foto volta-ike (PV), është larg realizimit të objektivave strategjike, për diversifikimin e portofolit gjenerues, me energji të rinovueshme”, shprehet KLSH.

Por për të mbetur të energjia e rinovueshme e cila do shpëtonte edhe Shqipërinë edhe nga krizat meteorologjike që mund të sjellin kohë pas kohe shfrytëzimi i kaskadave, siç ishte edhe rasti Kaskadës së Drinit, ekspertët mendojnë se zgjidhja duhet të vijë nga vetë politikat qeverisëse që në këtë moment nuk janë aspak favorizuese për kompanitë e huaja, që kanë në fokus strategjitë dhe paratë për energjinë e rinovueshme.

“Ministria i ka dhënë leje ca delikuentëve, të cilët më këto leje nuk kanë investuar në bazë të asaj që kanë marrë, por presin kompanitë e huaja që të shkojnë e t’i shesin këta leje me 30 përqind aksionerë.

Ka tendenca dhe nga bizneset e huaja që të investojnë pavarësisht vështirësive që kanë hasur në aspektin e marrëveshjeve me qeverinë shqiptare.

Por ajo që duhet thënë është pjesa që shteti shqiptar nuk ka obligim ndaj tyre dhe kjo e bën biznesin e tyre jo shumë të qëndrueshëm në aspektin e mbrojtjes së kushteve që kanë të gjithë vendet perëndimore”, tha Eduard Elezi.

Ndërsa për disa ekspertë zgjidhja është energjia e rinovueshme, për ekspertin e energjetikës, Azmer Duleviç, një tjetër faktor që nuk duhet nënvlerësuar, që mund ta shpëtojë Shqipërinë, është krijimi i bursës së energjisë që edhe në këtë aspekt vendi ynë duket se është i vonuar ose të paktën për momentin, ka një mungesë dëshirë nga qeveria për ta vënë në funksion.

Kjo çon edhe në raste të tilla si ai i KESH, që u detyrua të blejë energji më çmim shumë të lartë, pikërisht në momentin e tij më të vështirë.

“Bursa Alpex e energjisë elektrike duhet të ishte funksionale në muajin nëntor, më pas u tha në muajin janar dhe së fundmi thuhet në muajin mars.

Por muaji mars erdhi dhe mua personalisht më duket e largët dita që do të jetë funksionale 100 për qind sepse në vendin tonë përsëritet vit për vit e njëjta histori.

Por gjithashtu duhen parë edhe format e tjera inovative për prodhimin e energjisë si p.sh. ne kemi dhe vijë bregdetare që në këtë projektligjin e ri që pritet të kalojë faktikisht kjo është përmendur dhe është një nen që i përcakton dhe i rregullon me ligj, por përsëri nuk është i plotë për sa i përket avancimit të sektorit të elektroenergjetik për burimet e rinovueshme”, tha Azmer Duleviç.

Por në të gjithë këtë katrahurë të krijuar, në këtë rast energjetike, ajo që u pa e dukshme është se pas çdo zgjidhje krize, të vetmen gjë që shteti po bën është dërgimi i parave në xhepat e kompanive private.

Në një kohë kur kriza e vitit 2022 i kushtoi xhepit të buxhetit 660 milionë euro importe. Edhe në këtë rast qeveria mendoi si shpëtim të vetëm skenarin më të thjeshtë, atë të rritjes të çmimit të energjisë për qytetarët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: