Katy Perry ka folur hapur për periudhën e vështirë që përjetoi pas ndarjes nga aktori Orlando Bloom, duke rrëfyer se muajt pas përfundimit të lidhjes së tyre ishin të mbushur me lot, vetmi dhe momente të vështira emocionale. Por, sipas këngëtares, pikërisht në këtë periudhë jeta e saj mori një kthesë të papritur. Më shumë se një vit pas përfundimit të marrëdhënies së tyre nëntëvjeçare, Perry ka rrëfyer për revistën People se si e përjetoi ndarjen dhe se si rikthimi në skenë përmes turneut të saj “Lifetimes” e ndihmoi të gjente sërish veten.

“Ishte ndoshta koha më e vështirë”, rrëfeu 41-vjeçarja. “Miqtë e mi ishin të gjithë në shtëpi. Unë po qaja dhe ndihesha shumë larg. Por pastaj engjëjt e mi filluan punën. Ata ishin vërtet aty për mua.”. Katy Perry dhe Orlando Bloom, 49 vjeç, kanë së bashku vajzën e tyre 6-vjeçare, Daisy. Çifti, i cili kishte nisur lidhjen prej vitesh dhe ishte fejuar, konfirmoi ndarjen pas një marrëdhënieje që zgjati rreth nëntë vjet.

Perry pranoi se, përpara se të niste një kapitull të ri në jetën e saj, i duhej të përpunonte fundin e marrëdhënies me Bloom. “Nuk do të qëndroja në diçka për nëntë vjet nëse nuk do të kishte gjëra vërtet të rëndësishme për të mësuar. Çdo marrëdhënie është një mësuese, apo jo? Më duhej ta lija pas që të mund të ecja përpara”, tha këngëtarja.

Ajo tregoi gjithashtu se për një kohë të gjatë kishte ëndërruar për një dashuri të madhe, pothuajse mitike, dhe se këtë dëshirë e kishte diskutuar edhe me terapistin e saj. “Gjithmonë kam dashur këtë dashuri epike, legjendare. Çdo gjë në jetën time është epike, por kjo ishte pjesa që mungonte në enigmë. Dhe pastaj u shfaq”, u shpreh Perry.

Kthesa në jetën sentimentale të këngëtares erdhi gjatë periudhës kur ajo ishte në turne. Perry u rikthye në skenë me “Lifetimes Tour” dhe, vetëm disa javë pasi u bë publike ndarja e saj nga Orlando Bloom, ajo u takua me ish-kryeministrin kanadez Justin Trudeau. Marrëdhënia e tyre fillimisht u mbajt larg vëmendjes së publikut, por më vonë dyshja e konfirmoi lidhjen.

Duke folur për atë periudhë, Perry tha se turneu i saj i dha një tjetër perspektivë mbi jetën. “Mësova si të kthehem te qëllimi im. Dhe mora dhuratën më të madhe nga ky turne: takova dashurinë e jetës sime”, deklaroi ajo.

Perry ka folur edhe më herët për marrëdhënien e saj të re, duke shpjeguar se Trudeau i jep asaj një ndjenjë stabiliteti.

“Jam pak si një balonë me ngjyrat e ylberit. Fluturoj kaq lart dhe prek universin, dhe ndonjëherë kam nevojë të qëndroj në tokë”, tha ajo. “Më në fund, të kesh atë spirancë më bën të ndihem e plotë.”. Pavaresisht përfundimit të marrëdhënies së tyre, Perry dhe Bloom kanë mbetur të lidhur përmes vajzës së tyre, Daisy.

Pas ndarjes, Orlando Bloom kishte folur me tone pozitive për marrëdhënien me ish-partneren dhe rolin e tyre si prindër. “Jam i mrekullueshëm. Jam shumë mirënjohës. Kemi vajzën më të bukur. Jemi mirë. Do të jemi mirë. Asgjë tjetër përveç dashurisë”, ishte shprehur aktori. Ndërkohë, edhe Bloom ka vijuar jetën e tij personale. Sipas raportimeve, ai është në një lidhje me modelen Louisa Laemmel. Katy Perry, nga ana tjetër, duket se e ka lënë pas kapitullin e marrëdhënies me Orlando Bloom dhe, siç shprehet vetë, ka gjetur atë që kishte kërkuar prej kohësh: një dashuri që e bën të ndihet e plotë dhe e ankoruar në tokë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: