Deputeti i PD-së, Klevis Balliu, ka kërkuar hetim të menjëhershëm për aferën KAYO, pas publikimit të një përgjimi që ngre dyshime për trafikim armësh dhe cenim të sigurisë kombëtare.

Balliu akuzon kryeministrin Edi Rama, ministren Belinda Ballukun dhe biznesmenin Ron Yefet për përfshirje në këtë çështje, ndërsa kujton se më herët, gjatë një interpelance, ministri i Mbrojtjes i kishte mohuar akuzat për një aferë kriminale.

Reagimi i plotë:

KAYO: AFERA E ARMËVE QË ÇON TEK RAMA, BELINDA DHE RON YEFET KU ËSHTË DREJTËSIA?

Prej kohësh kam denoncuar aferën KAYO të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut me njeriun e tyre, Ron Yefet.

Sot, vetë “Busheta” i Edi Ramës ka nxjerrë në shesh këtë aferë kriminale, përmes një përgjimi ku ngrihen dyshime të rënda se KAYO është përdorur për trafikim armësh, duke cenuar sigurinë kombëtare të vendit.

Kur kam thirrur në interpelancë Ministrin e Mbrojtjes, ai e mohoi se KAYO ishte një aferë kriminale.

Sot, përballë këtyre zhvillimeve, drejtësia nuk mund të heshtë. Ajo duhet të veprojë me urgjencë dhe të hetojë çdo hallkë të kësaj afere, nga arkitekti politik Edi Rama, te firmëtarja Belinda Balluku dhe personat e përfshirë, përfshirë Ron Yefet.

Nëse ka trafik armësh dhe cenim të sigurisë kombëtare, përgjegjësia duhet të shkojë deri në majë.

Ku është drejtësia?

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb